Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan - Foto: REL/AP

Erdogan: Pres që Bota t’i Japë një Leksion të Mirë Amerikës

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ia ka tërhequr sot vërejtjen presidentit amerikan, Donald Trump, se nuk mund të blejë me paratë e tij vullnetin demokratik të Turqisë, duke aluduar në votimin në OKB për rezolutën e re, me të cilën kërkohet shfuqizimi i vendimit të Trumpit për të shpallur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit.

Erdogan tha se shpreson dhe pret që bota t’i japë një leksion të mirë Amerikës gjatë votimit në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, shkruan rtv21.tv.

Komenti i Erdogan pasoi pas deklaratës së ambasadores amerikane në OKB, Nikki Haley, se Washingtoni do të kërkojë llogari nga shtetet të cilat votojnë rezolutën për Jerusalemin.

Trump gjithashtu sugjeroi se ato shtete të cilat votojnë për rezolutën do të mbesin pa ndihmat amerikane.

Në anën tjetër, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, e cilësoi Organizatën e Kombeve të Bashkuara si një shtëpi të gënjeshtrave.

Netanyahu tha se Izraeli nuk do të pranojë votimin në OKB, duke shtuar se Jerusalemi është kryeqytet i shtetit hebre, se ndërtimet aty do të vazhdojnë dhe se aty do të ndërtohen edhe ambasadat e huaja, të cilat sipas tij, të kryesuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, padyshim se do të vendosen aty./21Media