Erdogan Premton Kundërpërgjigje pas Atentatit në Ankara

Presidenti islamo-konservator turk Recep Tayyip Erdogan ka premtuar të mërkurën në mbrëmje kundërpërgjigje pas atentatit me autobombë kundër automjeteve ushtarake, raporton AFP.

Sipas bilancit të fundit zyrtar, në këtë atentat në qendër të Ankarasë janë vrarë së paku 28 veta, kryesisht ushtarë, e janë plagosur 61 të tjerë.

“Le të dihet se Turqia nuk do të hezitojë të përdorë në çdo kohë, në çdo vend dhe në çdo rast të drejtën e saj legjitime për mbrojtje”, ka theksuar z. Erdogan përmes një komunikate.

Atentati është kryer në ora 18:31 afër sheshit “Kizilay”, ku kanë selinë shumë ministri, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura dhe Parlamenti turk.

“Sulmi terrorist ka ndodhur në momentin kur automjetet ishin të ndalur në udhëkryq meqë semafori ishte në të kuqen”, thekson komanda e Shtabit të Përgjithshëm përmes një komunikate.

Agence France Presse citon gazetën proqeveritare turke “Yeni Safak”, sipas të cilës sulmi është kryer nga një shtetas sirian, i prezantuar me emrin Salih Necar. Ky person është identifikuar nga shenjat e gishtërinjve kur ka hyrë në Turqi me refugjatët sirianë.

Vetura që është pëndorur për atentat është marrë me qira para dy javësh në qytetin e Izmirit.