Prekaz

'Epopeja' e Mbijetesës për Kullat Historike të Jasharajve

Disa nga shtëpitë kryesore që ruajnë historinë e betejës së familjes Jashari dhe fqinjëve përreth në fshatin Prekaz të Skenderajt rrezikojnë të rrëzohen duke mos qenë të konservuara edhe pse janë shndërruar në atraksion për qindra mijëra vizitorë që nga paslufta.

Në pamje të parë të shtëpive nga jashtë vërehet traktori i cili shërbente në jetën fshatare të 59 Jasharajve që u vranë në rezistencë në fillimin e luftës në Kosovë, i mbetur në gërmadhat e shtëpive që po shkërmoqen çdo ditë.

Xhevat Imeri, ciceroni i këtij kompleksi, që për këto 19 vite u tregoi vizitorëve historinë e sakrificës së komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe familjes së tij, tregon për sfidat në ruajtjen e objekteve në mungesë të konservimit.

“Ja kemi dalë që të ruajmë konstruksionin e kullave por kjo mbulojë është marrë vendim që të mbetet deri në ato momente kur të bëhet projekti dhe të fillohet me konservim… këto janë vendosur menjëherë pas tërheqjes së forcave serbe, në vitin 2000 ka qenë e mbuluar. Kjo është mbuloja e tretë deri tash”, tha Imeri.

Imeri nuk ka shumë shpresë se kullave u ka mbetur fuqi për të qëndruar në këmbë edhe për një kohë të gjatë në këtë gjendje.

“Këto kulla fillimisht janë të granatuara, janë të djegura dhe fatkeqëisht koha e gjatë i ka dëmtuar… është fat i madh që këto objekte nuk janë rrënuar më shumë dhe ndoshta është koha e fundit… Është nëse mund ta quaj edhe një mosinteresim të atyre që e kanë pasur detyrë të bëjnë më shumë në këtë drejtim”, tha Imeri

Rreziku për shkatërrim të objekteve historike nuk qëndron vetëm për skeletet e shtëpive të ndërtuara në fillim të viteve 90-ta, pasi brenda tyre ende gjenden copëza nga jeta e përditshme e Jasharajve.

Disa objekte që mund të jenë eksponate për muzeun e Jasharajve vazhdojnë të jenë brenda shtëpive, pa u konservuar.

Në anën tjetër, çdo herë e më i madh është numri i vizitorëve që interesohen dhe madje shëtisin në gërmadhat gati të rrëzuara në kërkim të kujtimit dhe nderimit të sakrificës për liri.

Gjendja e Kullave të familjes Jashari ka filluar të bëhet debat qeveritar dhe parlamentar vetëm këtë vit pas alarmit publik për rrëzimin e tyre.

KALLXO.com kishte realizuar një reportazh nga kompleksi memorial në Prekaz me kamerën 360 shkallë.

http://kallxo.com/kallxo-360-memoriali-familjes-historike-ne-prekaz/