Enver Peci, kryetar i Gjykatës Supreme të Kosovës. Foto: Kallxo.com

Enver Peci: Korrupsioni Nuk po Luftohet sa Duhet

Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Enver Peci, ka deklaruar për emisionin “Drejtësia në Kosovë” se rastet e korrupsionit janë duke dështuar për shumë arsye. Ai ka theksuar se që në fazat e hershme të hetime ka ngecje dhe kjo, sipas tij, po ndikon në dështimin e rasteve të korrupsionit në gjykata.

Peci ka deklaruar se duhet një punë më aktive dhe më profesionale nga prokurorët pasi, sipas tij, një aktakuzë cilësore e lehtëson edhe punën e gjyqtarëve. Ai ka shtuar se për rastet kur të akuzuarit gjenden fajtorë për vepra të korrupsionit gjyqtarët duhet të japin dënime meritore.

“Korrupsioni nuk është duke u luftuar në masën e dëshiruar. Ka probleme procedurale, dhe probleme tjera që po e përcjellin këtë proces. Këtë mund ta them edhe nga shqyrtimi i çështjeve që vijnë në Gjykatën Supreme sipas mjeteve të jashtëzakonshëm juridike. Dhe konsideroj që ka shumë për t`u diskutuar në të gjitha aspektet, nga faza e hetimeve, nga faza e ngritjes së akuzave, faza e gjykimit, nga shqiptimi i dënimeve”, ka thënë kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Enver Peci.

Siç transmetoi emisioni “Drejtësia në Kosovë”, vetëm brenda një muaji 5 raste të mëdha të veprave që hyjnë në kapitullin e korrupsionit morën pafajësinë.

Dy raste pas proceseve maratonike përfunduan me aktgjykime liruese qysh në shkallën e parë ndërsa tri të tjera, të cilat ishin dënuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës, u liruan nga Gjykata e Apelit me arsyetime se nuk është provuar kryerja e veprave.

Sigurisht se pyetja më legjitime lidhur me këto raste është se pse i duhen gjykatave në Kosovë deri në 8 vite kohë për të konstatuar se nuk ka prova, kur Procedura Penale ka paraparë faza fillestare ku mund të atakohen provat dhe të hidhet aktakuza.

Deklaratën e kryetarit të Gjykatës Supreme mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: