Enver Hoxhaj, Zëvendës Kryeministër. Foto: mfa-ks.net

Enver Hoxhaj i Përgjigjet Ivica Daçiqit për Njohjet e Kosovës

Zëvendës Kryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, dënoi deklaratat e ministrit të jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq se Kosova ‘shpiku’ njohjet nga shtatë ose tetë shtete tjera.

Hoxhaj akuzoi Serbinë për lansimin e një “fushate agresive” për ta penguar njohjen e pavarësisë së Kosovës si pjesë e një “politike të re të jashtme të lajmeve të rrejshme dhe beteje hibride (që synon) zbehjen paqes dhe stabilitetit në rajon”.

“Të gjitha vendet që e kanë njohur Kosovën e kanë njohur sovranitetin tonë shtetëror. Nuk ka dilema në këtë çështje”, tha Hoxhaj për BIRN, duke e akuzuar Serbinë se po e përdor këtë temë për ta zhvendosur vëmendjen nga roli i saj në “gjenocidin që e ka kryer gjatë viteve 1990”.

Ministri serb i punëve të jashtme, Ivica Daçiq, tha për gazetën serbe Vecernje Novosti të hënën se së paku shtatë ose tetë shtete nga 114 për të cilat Kosova thotë se ia kanë njohur pavarësinë, në fakt nuk e kanë njohur atë.

“Unë jam poashtu i sigurt se nëse Serbia i përkushtohet kësaj çështjeje, numri (i njohjeve) mund të zvogëlohet në më pak se 100”, tha Daçiq.

Intervista e tij erdhi pasi Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, njoftoi se Madagaskari e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Daçiq tha se disa vende që e kanë njohur Kosovën mund ta rishqyrtojnë vendimin, por nuk specifikoi shtetet për të cilat bënte fjalë.

Ai gjithashtu tha se shtetet që duan ta revokojnë njohjen e Kosovës- gjë për të cilën Prishtina zyrtare thotë se nuk është e mundur në bazë të së drejtës ndërkombëtare- po përballen me “kërcënime” nga “mbrojtësit e fuqishëm” të Kosovës.

Pavarësia e Kosovës mbështetet fuqishëm nga Shtetet e Bashkuara dhe shumica e vendeve të bashkimit Europian, përveç pesë shteteve anëtare që nuk e kanë njohur ende.

Së fundmi, Serbia i ka dhënë vëmendje të madhe çështjes nëse Kosova është njohur nga Surinami dhe Guinea- Bissau.

“Ne do ta vazhdojmë betejën. Kam folur me ministrat e jashtëm të shumë shteteve të cilat nuk e kanë njohur Kosovën dhe qëndrimi i tyre është i fortë”, tha Daçiq.

Hoxhaj, nga ana tjetër, insiston se procesi i njohjeve për Kosovën është i pakthyeshëm.

“Gjatë dekadës së parë të pavarësisë, Kosova është e bindur se do ta arrijë synimin për të marrë njohje diplomatike nga dy të tretat e shteteve anëtare të OKB-së dhe tashmë ka siguruar anëtarësim në mbi 50 organizata regjionale e ndërkombëtare”, tha Hoxhaj.