Enver Hoxhaj, Zëvendës Kryeministër. Foto: mfa-ks.net

Enver Hoxhaj: Nëse Nuk e Votoni Demarkacionin, do ta Kërkojmë Mbështetjen e Listës Serbe

Zëvendës Kryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, i ka bërë thirrje deputetëve të Vetëvendosjes që ta mbështesin marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Në të kundërtën, ai tha se koalicioni qeveritar do ta kërkojë mbështetjen e deputetëve të Listës Serbe për ta mbështetur atë.

Hoxhaj paralajmëroi se demarkacioni do të vihet në votim në Kuvend ditëve të ardhshme.

“Nëse nuk janë të gatshëm ta votojmë do ta kërkojmë mbështetjen e Listës Serbe. Nëse Lista Serbe e voton vendosjen e kufirit të Kosovës me Malin e Zi, për PDK është krejt në rregull”, shtoi ai.

“Nëse nuk votojnë deputetët shqiptarë, ne do ta kërkojmë mbështetjen e Listës Serbe. Për dy- tri ditët e ardhshme nëse vimë në Kuvend për ta votuar demarkacionin, ju lus që ta mbështesim… Nuk është mirë që t’ia lëmë këtë punë sheshit ‘Nëna Tereze’ se si ta vendosim”, tha ai duke iu referuar mundësisë së ndonjë proteste kundër ratifikimit të marrëveshjes.

Hoxhaj foli para deputetëve edhe për dialogun me Serbinë dhe duke folur për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, thumboi partnerin e tij në koalicion, AAK-në e Ramush Haradinajt.

“Procesi i dialogut ka me qenë i vështirë, ka me qenë i rëndë… i kisha lutë të gjitha partitë, pushtet e opozitë, të jemi të bashkuar. Unë e di që dikush kur është në opozitë mund t’i thotë Asociacionit “Zajednicë” e kur vjen në pushtet i referohet si Asociacion”, tha Hoxhaj.