Enver Hoxhaj Flet për Zgjedhjet e Serbisë në Kosovë dhe Sfidat Rajonale

Ministri Hoxhaj tha se Këshilli dhe Komisioni për Stabilizim- Asocim po bëjnë përpjekje që t’i japin kuptim politikës së jashtme të Kosovës.

Hoxhaj renditi tri sfidat më të mëdha rajonale, të cilat sipas tij janë: normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi, emri i Maqedonisë dhe gjendja institucionale e Bosnjës

“Rajoni ka edhe tri sfida të mëdha historike, sikur është normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi që duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë. Çështja e emrit të Maqedonisë që është temë mes Shkupit e Athinës, dhe gjendja e brendshme institucionale në Bosnjë, meqë ky vend është duke lëviz drejt një dështimi si shtet dhe për neve si Kosovë paraqet një shqetësim të madh”, tha ai.

Hoxhaj u pyet edhe për zgjedhjet në Serbi e zgjedhjen e Aleksandër Vuçicit President, të cilat vlerësoi se i shërbejnë stabilitetit rajonal.

“Mendoj që kjo është një temë e brendshme e jetës politike serbe. Mendoj që zgjedhjet në Serbi janë në interes të stabilitetit rajonal, sikurse kishim pas dëshirë që ta kem një qeveri sa më shpejt Maqedoni”, tha Hoxhaj.

Shefi i diplomacisë kosovare u shpreh i shqetësuar për deklaratën e djeshme të Komisionit Republikan Zgjedhor të Serbisë, në të cilën është thënë se nuk ka pasur kushte të sigurisë që të ndodhë numërimi i votave në Kosovë.

“Më duket që ka pasur një komunikim me OSBE-në, ende nuk e kam pa shkresën e plotë të komunikimit, por po i referohem asaj që ka dal në media, me pretendimin se në Kosovë nuk ka pas kushte të sigurisë që të ndodhë numërimi i votave. Në Kosovë ka ndodhë grumbullimi i votave, por për Qeverinë e Kosovës një deklaratë e tillë që për shkaqe të sigurisë është marrë ky apo ai vendim është e papranueshme. Por ende nuk e kam informatën e plotë por do të bëjmë përpjekje me OSBE-në që ta sqarojmë një gjë të tillë”, tha ai.