Gjykata Themelore në Prishtinë - Foto: KALLXO.com

Enver Hoxha Insiston se Është i Pafajshëm

I akuzuar për keqpërdorim të pozitës ose autoritetit zyrtar, Enver Hoxha, projekt-menaxher i Divizionit për Prodhimin e Qymyrit në KEK, sërish tha në Gjykatë se nuk e pranon fajësinë.

Njëjtë deklaroi edhe avokati i tij, Naim Rudari, i cili tha se aktakuza është plotësisht e pabazë, duke këmbëngulur se i mbrojturi i tij blerjen e ‘maicave’ e kishte bërë në përputhje me kontratën dhe Ligjin e Prokurimit.

Rudari në seancën e dytë gjyqësore para trupit gjykues parashtroi kërkesën për kundërshtim të provave dhe hedhjen e aktakuzës, duke e cilësuar atë si të pabazë.

Kërkesën e avokatit e kundërshtoi prokurorja e shtetit, Habibe Salihi, e cila deklaroi se ka prova të mjaftueshme të cilat e mbështesin dyshimin e bazuar mirë se i akuzuari ka kryer vepër penale dhe nuk qëndron asnjë nga pretendimet të cilat i theksoi në kërkesë avokati Naim Rudari.

Sipas aktakuzës, në pozitën e projekt-menaxherit të Divizionit për Prodhimin e Qymyrit në KEK, më 19 qershor 2013, me qëllim të përfitimit për vete ose persona të tjerë, Hoxha ka kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës ose autoritetit zyrtar në atë mënyrë që ka lejuar blerjen e 2,464 maicave nga “OE Ripten Enginnering” nga Prishtina.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Enver Hoxha nuk e ka përfillur procedurën e paraparë sipas Ligjit për Prokurimin Publik, duke vepruar në kundërshtim me kontratën 4710 16.07.2011 për llot -1 në të cilën është thirrur.

Vlera e dëmit që i ka shkaktuar i akuzuari KEK-ut sipas aktakuzës është 57 mijë euro.

Përkitazi me kërkesat e palëve trupi gjykues deklaroi që do të vendosë me aktvendim të veçantë.

KALLXO.com raporti edhe nga seanca e kaluar.

http://kallxo.com/enver-hoxha-deklarohet-pafajshem-ne-gjyqin-per-maica/

Redaktoi: Naser Sertolli