Certifikimi i zyrtarëve komunalë të prokurimit

Ende ka Punë për Krijim Besimi në Qeverisjen Lokale

Edhe pse 87 zyrtarë prokurimi të 38 komunave të Kosovës morën sot certifikata pas trajnimit nga USAID-i në kuadër të projektit “Ta Avancojmë Kosovën së Bashku”, në ceremoninë e certifikimit u konstatua se ende duhet punë për të krijuar besim mes qytetarëve dhe pushteteve lokale.

“Procesi i prokurimit i  cili është transparent dhe fikas është shumë i rëndësishëm në nxitjen dhe rregullimin e këtij besimi [qytetarë-pushtet lokal]. Ende mbetet shumë punë për të bërë në përcaktimin e këtij besimi”, tha zëvendësdrejtori i Misionit të USAID-it Mike de la Rosa.

Ai deklaroi se prokurimi publik është shumë i rëndësishëm pasi nga shpenzimi i buxhetit varet se si do të bëhet përkujdesja për qytetarët.

Edhe Safet Hoxha, kryetari i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik kërkoi transparencë nga zyrtarët e prokurimit që morën certifikatat.

“Ne kemi nevojë për një nivel të besimit në mes akterëve të sektorëve publikë dhe atyre privatë, ne kemi një nevojë të rritjes së besimit në mes të sektorit publik, OJQ-ve mediave dhe të gjithë partnerëve që na asistojnë në përmirësimin e administratës publike dhe rruga e vetme për me mujtë me arritë këtë nivel është me rritje të transparencës dhe llogaridhënies,” tha Hoxha.

Ministri i Administratës Publike Mahir Yagcilar tha se kjo administratë forcohet me trajnime dhe certifikime të tilla.

“Praktika ka  treguar se investimi në burime njerëzore është investimi më i mirë dhe më i qëndrueshëm,” tha Yagcilar.

Ministri më tutje tha se zyrtarët profesionistë mundësojnë ofrim të shërbimeve cilësore.

“Në krijimin e cilësisë së shërbimeve ekziston vetëm një zgjidhje ajo përmes profesionalizmit të vazhdueshëm dhe integritetit të nëpunësve publikë,” tha Yagcilar.

Zyrtarët e prokurimit u trajnuan nga shtatori deri në nëntor 2016.

BIRN dhe Internews Kosova në shtator të vitit që shkoi publikuan raportin e monitorimit të prokurimit publik gjatë vitit 2015 të pushtetit qendror, atij lokal dhe institucioneve të pavarura, të titulluar “Nder me Tenderë” në të cilin u publikuan gjetjet e shpenzimit të parave publike.

http://kallxo.com/birn-sot-publikon-raportin-nder-tendere/

Një raport të tillë për prokurimin publik që atëherë u titullua “Arka e Favoreve” u publikua nga BIRN dhe Internews Kosova edhe në shkurt të vitit 2015.

http://kallxo.com/birn-publikon-raportin-e-monitorimit-te-tendereve-per-2014/

Redaktoi: Bekim Muhaxheri