Emërohet Avokati i Popullit për Gjykatën Speciale

Pietro Spera u emërua Avokat i Popullit në Dhomat e Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Avokati i Popullit që bën monitorimin, mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave dhe lirive themelore, të mishëruara në Kapitullin II të Kushtetutës së Kosovës,  të personave që ndër veprojnë me Dhomat e Specializuara (DHSK) dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS) u zgjodh një ish-gjyqtar nga Italia.

Në njoftimin zyrtar tregohet se Spera  që prej vitit 2010 ka punuar si gjykatës në Gjykatën e Gjenovës, ku ka kryesuar gjykime dhe procese ndërmjetësimi e pajtimi. Nga 2008 deri në 2010 ishte Kreu i Projektit Italian për Drejtësi në Kabul (Afganistan), ku bashkërendoi pjesëmarrjen e Italisë në projektet e reformave në drejtësi, përfshirë reformat e legjislacionin kombëtar të Afganistanit dhe trajnimin e profesionistëve ligjorë për nxitjen dhe garantimin e pajtueshmërisë me të drejtën ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

“Emërimi si Avokat i Popullit është një nder dhe privilegj për mua dhe jam i gatshëm për sfidën e përmbushjes së mandatit që më është besuar për mbrojtjen e të drejtave të njeriut”, tha Spera me rastin e emërimit.

Ndërsa Gjykatësja , Ekaterina Trëndafilova tha se emërimi i Avokatit të Popullit shënon një moment kyç për institucionin e Gjykatës Speciale.