Foto: Komuna e Klinës

Emërohen Nënkryetari dhe Drejtorët Komunës së Klinës

Disa ditë pasi mori mandatin si kryetar i Klinës, Zenun Elezaj ka bërë të ditur përbërjen e ekipit të tij qeverisës për katër vjetët e ardhshëm.

Kryetari i Klinës, Zenun Elezaj, ka bërë të ditur se ka emëruar nënkryetarin dhe drejtorët e drejtorive komunale të ekipit të tij qeverisës.

Ai ketë ua ka kumtuar asamblistëve të Kuvendit Komunal të Klinës, përmes thirrjes së seancës së jashtëzakonshme.

Sipas njoftimit të Zyrës se informimit në Komunën e Klinës, nënkryetar i komunës është emëruar Besim Hoti që ishte kandidat nga Lidhja Demokratike e Kosovës për kryetar të kësaj komune.

E drejtorët e drejtorive janë emëruar sipas marrëveshjes se koalicionit qeverisës mes subjekteve AAK, LDK, LVV dhe Nisma.

Katër drejtorë të emëruar do kenë AAK-ja, tre LDK-ja, ndërsa LVV do udhëheqë dy drejtori, kurse Nisma një.

Nga AAK-ja drejtorë janë emëruar: Binak Syla, Hekuran Sejdiu, Lorenc Marleku e Njomza Grabanica.

Syla do të jetë drejtor i Administratës, Sejdiu drejtor për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale,Marleku drejtor i Urbanizimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit dhe Grabanica drejtore e Kadastrës,Gjeodezisë dhe Pronësisë.

Arben Limanaj nga LDK-ja do të drejtojë arsimin në Klinë, Aziz Desku do të jetë drejtor i Finacave dhe Zhvillimit Ekonomik dhe Petrit Blakaj do të jetë drejtor i Inspektoratit.

Kundërkandidati tjetër në zgjedhje i Zenun Elezajt,Iber Elezaj i Lëvizjes Vetëvendosje, është emëruar drejtor i Shërbimeve Publike dhe Emergjente. Po nga ky subjekt drejtor për Kulturë Rini dhe Sport është emëruar Skender Merturi.

Ndërsa, Naser Morina nga Nisma është emëruar drejtor për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, thuhet në njoftimin e Zyrës për Informim të Klinës.

Zenun Elezaj u zgjodh Kryetar i Komunës së Klinës, pas balotazhit ndaj ish-kryetarit disavjeçar të kësaj komune, Sokol Bashotës nga PDK-ja.