Kryetari i Istogut Haki Rugova | Foto: Atdhe Mulla

Elshani ia Përmend Kanunin Haki Rugovës

Elshani gjatë fjalimit të tij në Asamble tha së mbledhjen e kaluar kryetari i Komunës, Haki Rugova, i kishte thënë se do merret me të kaluarën e tij.

“Kryetari mua me thotë që do merret me të kaluarën time. Më thotë (mbledhjen e kaluar) se gjithë Istogu e di kush je edhe unë do merrem me të kaluarën tënde”, tha Arif Elshani.

Elshani gjatë fjalimit të tij në foltoren e Kuvendit Komunal kërkoi nga i pari i Komunës së Istogut, Haki Rugova, që publikisht ta shpalosë të kaluarën e tij dhe familjes Elshani.

“Unë kërkoj nga kryetari që të del publikisht të shpalos të kaluarën time politike dhe të familjes Elshani, që jemi ardhur qe 200 vjet, e dimë kush je ti. Unë për familjen Rugova s’kam fjalë, as për babën e kryetarit, as familjarët e tyre, as për kërkon nuk do të flasë, unë nuk di gja për kërkon”, tha Elshani.

Sipas Elshanit, për ofendimet e bëra ndaj tij do kërkojë t’i zgjidh përmes dy rrugëve: përmes Kanunit dhe institucioneve të drejtësisë.

“Këtë fyerje, ketë ofendim që ke mendu me dal në qytet me thanë: E kur u qartë kryetari u tut Arifi? Arifi nuk tutet, vjedh nuk kam, asnjë tender s’e kam marr, asnjë ndërtim s’e kam bërë sikur ti, s’kemi çka me t’u tutë. Edhe po të them një gja: këtë ofendim do të kërkoj në dy rrugë, në rrugën kanunore edhe institucionale. Që ti me përdorë ketë kuvend me thanë të kaluarën e Arif Elshanit dhe familjes Elshani me të vërtetë një ditë do të ulem edhe në sobë të burrave edhe në gjykatë”, u shpreh  Elshani.

Në anë tjetër, kryetari i Komunës, Haki Rugova, tha së akuzat në drejtim të tij dhe familjes së tij janë të papranueshme.

Kurse me Arif Elshanin në të gjitha periudhat tha se kanë qenë shokë, dhe si të tillë ende e konsideron.  Ai tha mbledhjen e kaluar ka thënë se të kaluarën ia di secili-secilit.

“Për mua janë të papranueshme dhe nuk kam qare pa u përgjigjur në dezinformata dhe informata të gabueshme ku cenohet dhe ku preket, ku ky tonë i Florinit ose Arifit. Klani pronto, klani pronto dihet kush është. Cili klan Rugova, nuk ka klan Rugova ju lutëm”, tha Rugova pas akuzave të disa këshilltarëve komunalë të opozitës të bëra ndaj tij.

Megjithëse Rugova tha se Elshanin e konsideron shok, theksoi se nuk i frikësohet asnjë denoncimi të tij të çfarëdo lloj forme.

“Nuk kam unë kurrfarë konflikti Arif unë me ty në asnjë mënyrë, bile n’daç me ditë në të gjitha periudhat kemi qenë shokë, konsideroj që jem hala. Nuk kam frikë unë asnjë lloj denoncimi që mundesh me ma bërë mu dhe atë në çdo formë”, tha kreu i Komunës së Istogut.

Gjatë këtij debati pati akuza nga Arif Elshani në drejtim të Kryetari të Komunës se i njëjti i ka ofruar favore djalit dhe vëllezërve të tij përmes tenderëve komunalë. Këto akuza Rugova i quajti të pavërteta.

Në një hulumtim të emisionit “Drejtësia në Kosovë“ është treguar për favoret që Komuna e Istogut i kishte bërë kompanisë së kryetarit Rugova, e cila kishte ndërtuar një objekt shtatëkatësh në pronën komunale dhe kishte marrë edhe disa tenderë në komunën e cila që nga viti 2010 qeveriset nga Haki Rugova.

Emisionin të plotë mund ta gjeni në linkun e mëposhtëm: