Ekstremizmi Vjen nga Njerëz Jashtë Bashkësive Fetare

Në Pejë u diskutua sot rreth përfshirjes së komunitetit në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm, në një tryezë të organizuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS).

Enver Hulaj nga organizata “Syri i Vizionit” tha se ekstremizmi vjen nga njerëz jashtë kontrollit të bashkësive fetare.

“Shumë pak punohet në promovimin e pozitivizmit që të jep besimi edhe të qetësisë që duhet me të dhanë, sepse këta njerëz nuk janë të qetë, janë shumë agresivë të paqetë,” tha Ulaj.

Musli Arifaj, kryetar i Bashkësisë Islame në Pejë kritikoi sistemin arsimor duke thënë se në një libër shkollor ka lexuar se xhihadi është kusht i islamit, pa qenë kjo e vërtetë.

“Kam lexuar në një libër të historisë të klasës së gjashtë, shikoni një gabim i panevojshëm, ose i paarsyeshëm ose i padijshëm. E kom pa- aty thotë kushti i gjashtë i Islamit që kurrkush në dynje nuk e ka mësuar ,as nuk e kam dëgjuar, se kam ndi kurrë përpara, thotë është xhihadi,“ tha ai.

Arifaj deklaroi se qyteti i Pejës nuk është prekur shumë nga radikalizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm, ndërsa bëri të ditur se në dy vjetët e fundit nuk është shënuar ndonjë incident që lidhet me këto dukuri.

Sebahate Qorkadiu nga Zyra për Barazi Gjinore shprehu brengën se vajzat e mbuluara plotësisht është vështirë të identifikohen.

“E kam rastin për shembull tek vajzat e reja kur krejtësisht të mbuluara saqë as sytë nuk u shihen, mundet me qenë edhe dikush tjetër brenda,” tha ai.

Komandanti i stacionit policor në Pejë Ndue Nikolla inkurajoi të gjithë pjesëmarrësit të bashkëpunojnë me organet policore për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm, ndërsa drejtori ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë Florian Qehaja kërkoi bashkëpunim më të madh për parandalim të ekstremizmit të dhunshëm.