Ekspertizë dhe Dëshmi për Vrasjen në “Amsterdam ”

Edhe pse Bektashi vdiq pas plagëve të mrra në një përleshje më 1 prill 2013, vdekja e tij ende nuk është zbardhur nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

I akuzuar për vrasje të rëndë  nga ana e prokurorisë është Gent Selimi, ndërsa Besim Ahmeti, Isuf Drejiqi, Dren Krajkova, Lutfi Saraçi dhe Bilent Bektashi akuzohen se kanë kryer veprën penale pjesëmarrje në rrahje.

I akuzuari Dren Krajkova nuk ishte i pranishëm në seancë sepse u tha se ishte jashtë shtetit dhe me qëllim që të mos zvarritet procedura më tutje, trupi gjykues mori vendim që për të veçohet procedura ndaj tij.

As ekspertiza e paraqitur, e as dëshmia nuk u pranuan në mënyrën më të mirë nga palët.

Ekspertiza biopsikosociale e përgatitur nga Instituti i Psikologjisë Forenzike sqaroi se i akuzuari Gent Selimi nuk vuan nga ndonjë problem psikologjik.

Ekspertja psikologe në fjalët e saj sqaroi metodat që ndërmerren nga ky institut për ta konstatuar gjendjen e personit që ekzaminohet.

“janë disa metoda siç është intervista  e parë me klientin dhe në bazë të saj përcaktohen nevojat për ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme. Është bërë administrimiiI inventarit tëpersonalitetit në bazë të të cilit arrihet deri te psikologjia e personalitetit.  Në rastin e të ekzaminuarit Gent Selimi është parë se ai nuk ka ndonjë ngecje psikopatologjike në asnjë shkallë të personalitetit,” ishte sqarimi i ekspertes Arife Veseli.

Ajo tha se janë bërë edhe disa teste tjera të inteligjencës të cilat kanë dhënë rezultatet se i akuzuari është i aftë që në pyetjet e psikologëve të përgjigjet  në mënyrën e duhur.

Sadije Mjekiqi, mbrojtësja e të akuzuarit Gent Selimi, e kundërshtoi ekspertizën sepse sipas saj nuk është marrë parasysh raporti  i mjekut për lëndimin në kokë që ka pasur i akuzuari . Mjekiqi tha se ai lëndim ka ndikuar edhe në veprimin që ka kryer ai në ditën kritike.

Veseli tha se ekspertiza është bërë në një kohë më të largët sesa koha e ditës kritike dhe ekspertët nuk mund ta dinë gjendjen psikologjike që ka pasur  Gent Selimi në atë kohë.

“Në bazë të shkresave të lëndës kemi konstatuar se konsumimi i alkoolit, frika e intensitetit të lartë dhe mosha e re ndoshta ka ndikuar në gjendjen emocionale të Gentit për shkaktimin e veprës,” vazhdoi shpjegimin ekspertja.

Edhe avokatja e të dëmtuarve, Shpresa Berisha-Rexhepi tha se ekspertiza është e dyshimtë dhe gjykata nuk duhet të bazohet në të.

Në këtë seancë dëshminë e ti j e dha edhe Baki Berisha i cili tha se natën kur ka ndodhur vrasja ka qenë duke punuar në cilësinë e instrumentistit muzikor.

Prokurori tha se Berisha po e ndërron dëshminë në raport me ato që ka thënë në prokurori, ndërsa avokatja e të dëmtuarve tha se ky dëshmitar më shumë është i përqendruar në shikimin e orës sesa në atë që po thotë.

Dëshmitari Berisha deklaroi se është në gjendje jo të mirë emocionale për shkak se e ka një të afërm në spital, ndërsa gjyqtari kërkonte nga ai që të koncentrohej me arsyetimin se dëshmitarët luajnë rol shumë të madh për vendosjen e drejtësisë së një shteti.

Dëshmitari ngulmonte se nuk ka parë se çka ka ndodhur aty ,sepse ka qenë duke bërë muzikë dhe larg nga vendi i ngjarjes.

“Në mbrëmjen kritike për shkak të incidentit që ndodhi ne jemi larguar. Unë nuk kam parë asgjë sepse kemi qenë të vendosur larg mysafirëve. Unë e kam parë se ka pasur përleshje te dera e hyrjes, por nuk e di se kush ka marrë pjesë në atë përleshje,” tha Berisha.

Mbrojtja e të akuzuarit Gent Selimi propozoi që atij t’i hiqet edhe masa e paraburgimit, por kjo u refuzua nga trupi gjykues.

KALLXO.com ka raportuar edhe më herët për këtë rast.

http://kallxo.com/bashkeshortja-e-te-vrarit-te-akuzuarit-nuk-kerkuan-pajtim/