Objekti i Klinikës Medicus | Foto: KALLXO.com

Eksperti Ujvari Pritet të Dëshmojë në Rastin “Medicus”

Eksperti Kristian Ujvari pritet që të dëgjohet si dëshmitar i radhës në gjykimin për rastin “Medicus”.

Në seancën e kaluar dëshminë e tij rreth këtij rasti e kishte dhënë edhe dëshmitari tjetër Islam Bytyqi, i cili tha se kishte punuar në ekipin e anesteziologëve në klinikën “Medicus”.

Gjatë dëshmisë së tij ai deklaroi se për aq sa kishte punuar në klinikën “Medicus”, se bashku me ekipin e anesteziologëve dhe mjekeve kishin kryer disa ndërhyrje kirurgjike gjatë të cilave sipas tij ju janë vendosur veshka pacientëve.

Ai madje tha se kishte marrë pjesë edhe në operacionin e fundit që ishte kryer në klinikën “Medicus”, ku deklaroi se një pacienti me inicialet B. Sh. i ishte vendosur veshka.

http://kallxo.com/deshmitari-mora-pjese-ne-operacione-ku-u-vendosen-veshka/

Lutfi Dervishi që ishte pronar i Klinikës “Medicus” në të cilën nga prokuroria po pretendohet se u krye transplantim i veshkave, akuzohet për trafikim me qenie njerëzore dhe krim të organizuar, ndërsa Sokol Hajdini për lëndim të rëndë trupor.

Pjesë e këtij gjykimi ishte edhe Arban Dervishi, djali i Lutfi Dervishit, por procedura ndaj tij është veçuar, ngase ai ndodhet në arrati.

Urologu Lutfi Dervishi ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 8 vjet burg në vitin 2013, ndërsa Sokol Hajdini me 3 vjet.

Gjykata e Apelit më pas ia kishte vërtetuar dënimin Dervishit, ndërsa Hajdinit ia kishte shtuar vitet e dënimit me burg nga 3 vjet në 5.