Eksperti Shpjegon Gasifikimin dhe Lëngëzimin e Qymyrit

Kompania ‘Envidity’, në krye të bordit të së cilës është gjenerali amerikan Wesley Clark, ka kërkuar licencë të hulumtimit të rezervave të qymyrit në Kosovë dhe shfrytëzimit të tij me metodat e gasifikimit dhe lëngëzimit.

Lorik Haxhiu, ekspert i xehetarisë i ftuar në emisionin “Jeta në Kosovë”, ka shpjeguar proceset e shfrytëzimit të qymyrit të cilat përmenden në aplikimin e kësaj kompanie për licencë.

Sipas tij, gasifikimi është proces i djegies nëntokësore të qymyrit, me ç’rast lirohen gazra të cilat në sipërfaqe shfrytëzohen për prodhimin e energjisë elektrike apo të produkteve të tjera.

“Gasifikimi nëntokësor i qymyrit ka të bëjë me djegien nëntokësore të qymyrit, ku me një anë futen oksidantë apo edhe ajri përmes puseve dhe shpimeve që e përkrah djegien e qymyrit, gjatë djegies së qymyrit lirohen gazrat dhe elemente tjera të cilat përmes pusetave të tjera mund të nxirren në sipërfaqe dhe të përpunohen si gas ose produkte të tjera”, shpjegon Haxhiu.

Ndërkaq metoda e lëngëzimit sipas ekspertit është metodë që ishte përdorur për t’i furnizuar me naftë makineritë e Luftës së Dytë Botërore.

“Lëngëzimi është kthimi i qymyrit përmes proceseve kimike në naftë apo hidrokarbure. Kjo teknologji është e vjetër, është përdorur me të madhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, e kanë përdorur gjermanët, e ka përdorur edhe Hitleri”, tha Haxhiu.

Lorik Haxhiu deklaroi gjithashtu se në dokumentacionin për aplikim për licencë nga kompania nuk përmendet hulumtimi për të cilën edhe është kërkuar licenca.

Kompania e Wesley Clark Kërkon Monopolin në Qymyrin e Kosovës