Ekspertët Insistojnë në Rishikim të Marrëveshjes për Demarkacion

Florim Isufi, profesor i Gjeografisë në Universitetin e Prishtinës, ka bërë prezantimin e atyre që u prezantuan si “të arritura të reja shkencore në lidhje me procesin e demarkimit të kufirit Kosovë-Mali i Zi”.

“Nëse Mali i zi gjithmonë i ka pasur 13 mijë e 812 kilometra katrorë, del që Mali i Zi po rritet për 70 kilometra katrorë dhe nëse këto vendbanime ia lëmë Malit të Zi del që Mali i Zi po rritet për 82 kilometra katrorë”, tha Isufi.

Shpejtim Bulliqi, gjithashtu profesor në UP, insistoi sërish që marrëveshja për demarkacion me Malin e Zi është bërë gabim ndërsa sugjeroi që “rishikimi mund ta rregullojë bilancin negativ territorial në dëm të Kosovës”.

Bulliqi tha se pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje, në gusht të vitit 2015, Mali i Zi rezulton të ketë më shumë territor.

“Në rast të ratifikimit të marrëveshjes në parlamentin e Kosovës, Mali i Zi do të rritë sipërfaqen e tij. Shikuar historikisht, Mali i Zi sipas të gjitha publikimeve të entit federativ për gjeodezi të ish Jugosllavisë dhe instituteve gjeodezike të Malit të Zi nga viti 1945 deri më vitin 2015 kishte më pak sipërfaqe sesa pas këtij demarkimi”, tha Bulliqi.

Nga ana tjetër, në një konferencë tjetër për shtyp, përfaqësuesi i Komisionit qeveritar për matjen e territorit të Kosovës, Tomor Qela, mohoi mundësinë që Kosova të humbë territor nga demarkacioni.

http://kallxo.com/qela-demarkimi-serbine-nuk-ndryshon-kilometrat/