Gjykimi për vrasjen e Mentor Zekajt - Foto: KALLXO.com

Ekspertët Dëshmojnë në Gjykimin për Vrasjen në Pejë

Pesë ekspertë kanë dhënë dëshmi në gjykimin për vrasjen e Mentor Zekajt, për të cilën akuzohet shoku i të ndjerit, Kreshnik Haliti.

Ekspertë të mjekësisë ligjore dhe të forenzikës dëshmuan në Gjykatën e Pejës lidhur me raportet e përpiluara rreth rastit të vrasjes që kishte ndodhur vitin e kaluar në lagjen “Fidanishte” të Pejës.

Brigita Curri, eksperte nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, tha se viktima ka ndërruar jetë si pasojë e shokut hemarrogjik nga plagët e marra.

Ajo tha se përveç plagëve nga armët e zjarri, njëra plagë i është shkaktuar nga mjeti i mprehtë.

Tutje edhe eksperti i balistikës, Qendrim Topalli, ka dëshmuar lidhur me raportin e ekspertizës së armës.

Ai tha se bashkë me armën ka ekzaminuar edhe një karikator të saj dhe katër gëzhoja.

“Së bashku me këtë armë ishte edhe një karikator dhe katër gëzhoja, si dhe një predhë, të cilat pas krahasimit mikroskopik, me testet e pistoletës së cekur më lartë, ka rezultuar se kanë karakteristika të njëjta, që do thotë se këto janë shkrepur nga kjo pistoletë”, tha Topalli.

Dëshminë e tij e ka dhënë edhe eksperti për grimcat e barutit, Milazim Tahirukaj, i cili tha se nga dëshmitë e sjella për ekspertizë nuk ka rezultuar se ndonjëra ka mbetje të qitjes së armës së zjarrit.

Edhe ekspertët e tjerë dhanë dëshmitë e tyre lidhur me ekzaminimin e disa letrave të gjetura te viktima, të cilat tha se përputhen me mostrat e testuara.

Në këtë proces gjyqësor Kreshnik Haliti akuzohet për vrasje të rëndë të Mentor Zekajt.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi rreth këtij rasti.