Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu - Foto: KALLXO.com

Ekskluzive: Gërxhaliu Jep Detaje nga Autopsia e Ivanoviqit

Në një intervistë ekskluzive për KALLXO.com, drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, ka dhënë detaje rreth procesit të autopsisë të trupit të kryetarit të Iniciativës Qytetare SPD, Oliver Ivanoviqit.

Sipas Gërxhaliut, Oliver Ivanoviq është qëlluar me armë zjarri në kafazin e kraharorit.

“I njëjti është qëlluar nga predhat të liruara nga arma e zjarrit në regjionin e kafazit të kraharorit. Shumica e predhave e kanë goditur në pjesën e pasme të shpinës ndërsa dy të tjera në pjesën anësore dhe atë të përparme”, tha Gërxhaliu në intervistën për KALLXO.com.

Drejtori i IML-së tha se nga gjashtë predhat njëri ka qenë fatal.

Oliver Ivanoviq, sipas Arsim Gërxhaliut, është qëlluar nga një distancë prej së paku një metër.

“Nga aspekti mjeko- ligjor e kemi atë, se ai ka qenë në largësi mbi një metër”, shtoi ai.

Për predhat e gjetura në trupin e Ivanoviqit, Gërxhaliu tha se i janë dhënë Policisë së Kosovës.

Gërxhaliu tha se i gjithë procesi i autopsisë ka qenë nën udhëheqjen e tij ndërsa ka pasur edhe mjkë nga Serbia, si monitorues.

“Ekipi ynë ka qenë i kompletuar. Kam qenë unë duke udhëhequr, doktoresha Bergita Curri, katër teknikët, fotografi. Autopsia është kryer nën udhëheqjen time. Hetuesia e Policisë së Kosovës ka qenë aty si dhe forenzika. Po ashtu kemi pasur edhe dy mjeko- ligjor të Serbisë që vetëm kanë monitoruar”, tha Gërxhaliu për KALLXO.

Ai i përshkruajti si korrekte sjelljet e familjarëve, të cilët, madje, u janë falënderuar që kanë shkuar për autopsinë.

Kryetari i Iniciativës Qytetare SPD, Oliver Ivanoviq u vra mëngjesin e sotëm para selisë së tij në Mitrovicë.

Gjatë ditës së sotme për vrasjen e Ivanoviqit, zyrtarë të lartë dhe zyrtarë të institucioneve dënuan aktin e vrasjes.

Policia dha edhe detaje lidhur me vrasjen.

KALLXO.com raportoi edhe për përfundimin e autopsisë e cila zgjati më shumë se 4 orë.