Pamje pas sulmit në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës - Foto: KALLXO.com

Ekskluzive: Flet Prokurori që po Heton Sulmin Kundër Kuvendit

Ndonëse kanë kaluar më shumë se tre muaj nga sulmi me mjet shpërthyes kundër ndërtesës së Kuvendit të Kosovës dhe më shumë se dy muaj nga arrestimi i personave të dyshuar – aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, këta të fundit ende nuk janë intervistuar nga prokurori i rastit.

“Arsyeja se pse nuk janë intervistuar ende  është se kam qenë në pritje të rezultateve të disa ekspertizave,” tha për KALLXO.com prokurori Abdurrahim Islami.

Këtë fakt e nxori në pah vdekja e njërit prej të dyshuarve të këtij rasti – Astrit Dehari, i cili është gjetur pa shenja jete në qelinë e Qendrës së Paraburgimit në Prizren më 5 nëntor.

Lidhur me këtë çështje, prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Abdurrahim Islami, tha për KALLXO.com se intervistimi i të dyshuarve do të ndodhë këtë muaj.

“Ne po planifikojmë që t’i intervistojmë të dyshuarit nga mesi i këtij muaji dhe pas intervistimit do të analizohen deklaratat e tyre dhe do të shikohet se si të veprohet më tej”, tha Islami për KALLXO.com.

Po ashtu, prokurori Islami tha se as tanimë i ndjeri, Astrit Dehari, nuk ishte intervistuar.

Ndërsa, sa i përket caktimit të masës së paraburgimit për Deharin, prokurori theksoi se kërkesa ishte bërë në bazë të provave të tjera që i ka në posedim Prokuroria.

Për sulmin e 4 gushtit të këtij viti kundër Kuvendit të Kosovës si të dyshuar ishin arrestuar aktivistët e Vetëvendosjes: Atdhe Arifi, Astrit Dehari, Adea Batusha, Egzon Haliti, Petrit Ademi dhe Frashër Krasniqi.

http://kallxo.com/publikohen-emrat-e-te-arrestuarve-per-bomben-ne-kuvend/

Që nga koha e arrestimit, në fund të gushtit, masa e paraburgimit u ishte caktuar Atdhe Arifit, Astrit Deharit dhe Egzon Halitit, ndërsa të tjerët u lëshuan në masa më të lehta të sigurisë.

Gjashtë aktivistët e VV-së dyshohen se janë autorë të sulmit me mjet shpërthyes kundër ndërtesës së Kuvendit të Kosovës.

http://kallxo.com/sulmohet-me-mjet-shperthyes-kuvendi-i-kosoves/

Njëri prej të dyshuarve, Astrit Dehari, vdiq në Qendrën e Paraburgimit në Prizren ndërsa rrethanat e vdekjes së tij vazhdojnë të mbesin të pasqaruara.

http://kallxo.com/vdes-ne-qender-te-paraburgimit-nje-aktivist-i-vv-se/

Rreth këtij rasti Prokuroria ka filluar një hetim e gjithashtu edhe rezultatet e autopsisë nuk janë publikuar ende.

http://kallxo.com/syle-hoxha-astrit-dehari-ka-vdekur-nga-asfiksia/