Pamje nga gjykimi i Shefqet Kamerajt - Foto: KALLXO.com

Ekskluzive: Arsyetimi i Apelit për Dënimin e Shefqet Kamerajt

Në 7 faqe dokument gjykata e Apelit ka arsyetuar vendimin e saj për rritjen dënimint ndaj rreshterit  Shefqet Kameraj, vrasësin e Ilmi Lufajt, në Deçan.

Nga 13 vite burgim sa ishte dënuar në shkallën e parë, ish rreshterit të Policisë së Kosovës Shefqet Kameraj i është rritur dënimi në 16 vjet burgim nga Gjykata e Apelit për vrasjen e Ilmi Lufajt në mars të vitit 2016.

Në Aktgjykimin e Apelit të datës 19.09.2017 të cilin e ka siguruar Kallxo.com, thuhet se ky vendimi Apelit erdhi pasi kolegji i gjyqtarëve të krimeve të rënda aprovoi ankesën e palës së dëmtuar vetëm sa i përket vendimit të gjykatës themelore mbi dënimin.

Në Aktgjykimin e Apelit, shihet se ankesat e Prokurorit të Prokurorisë Themelore të Pejës dhe mbrojtësit të akuzuarit Shefqet Kameraj.

Siç dihet kundër Aktgjykimit të Gjykatës Themelore të Pejës me kohë kishin shutruar ankesë, pala e dëmtuar, Prokurori dhe mbrojtësit e të akuzuarit. Gjykata Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda e kishte shpallur fajtorë Shefqet Kamerajn për veprën penale vrasje duke ia shqiptuar atij dënimin me 13 vjet burgim.

Kundër Aktgjykimit që e shpalli fajtorë dhe e dënoi me 13 vite burgim Shfqet Kamerajn, ishin ankuar Prokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, për shkak të shkeljeve thelbësore të dispozitave të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës (KPRK) dhe vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, me propozimin që Gjykata e Apelit ta prishë Aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Pejës,  ashtu që këtë çështje penale t`ia kthejë Gjykatës së shkallës së parë në rigjykim dhe rivendosje.

Siç shihet në Aktgjykimin e Apelit, avokati i palës ë  dëmtuar, Gëzim Kollçaku kishte ushtruar ankesë në shkallën e dytë për shkak të vendimit mbi sanksionimin penal me propozimin që të aprovohet ankesa, të ndryshohet aktgjykimi i shkallës ë parë asisoj që gjykata sipas detyrës  zyrtare të bënë rikualifikimin e veprës penale në vepër penale të Vrasje e Rëndë dhe kundër të akuzuarit Shefqet Kameraj të shqiptohet një dënim më i lartë.

Në anën tjetër mbrojtësit e të akuzuarit Shfqet Kameraj, Haxhi Çekaj dhe Muharrem Hoti ankesën e tyre  kishin bërë me pretendimet se ka patur shkelje esenciale  të dispozitave të KPK-së, shkeljes së ligjit penal, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe vendimit mbi dënim,

Mbrojtësit kishin propozuar Apelit që Aktgjykimin e ankimuar ta ndryshojë përkitazi me cilësimin juridik të veprës penale dhe vendimit mbi dënim, apo në rastin më të pavolitshëm për të akuzuarin të merr aktvendim dhe aktgjykim t anulojë dhe çështjen t`ia kthejë gjykatës së shkallës së parë për rivendosje.

“Gjykata e Apelit e Kosovës pasi që shqyrtoi të gjitha shkresat e kësaj çështjeje juridiko – penale aktgjykimin e ankimuar në pajtim me dispozitën e nenit 394 të KPK-së dhe pasi vlerësoi pretendimet e cekura në ankesë, gjeti se ankesa e palës së dëmtuar është e bazuar, ndërsa ankesa e Prokurorisë Themelore në Pejë dhe ajo e mbrojtësit të të akuzuarit Shefqet Kameraj janë të pabazuar”, thuhet në Aktgjykimin e Apelit.

Sipas Aktgjykimit të Apelit, shihet se Prokuroria Themelore e Pejës me ankesën e saj ka pretenduar se Aktgjykimi i shkallës së parë është i përfshirë me shkelje esenciale.

“Aktgjykimi i shkallës së parë është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të Procedurës Penale dhe se gjendja faktike është vërtetuar gabimisht dhe në mënyrë jo të plotë. Kjo pasi aktgjykimi nuk përmban arsye të mjaftueshme mbi faktet vendimtare  ngase në shqyrtimin kryesor pas dëgjimit të dëshmitarëve Avdi Shala, Enver Balaj, Tahir Mazrekaj, Besfort Elshani dhe Abedin Çeku si dhe nga administrimi i provave tjera materiale e sidomos nga video incizimi nga vendi i ngjarjes, në tërësi është provuar se i akuzuari për motive të hakmarrjes së paskrupullt ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë e paraparë me Kodin Penal”, thuhet në Aktgjykim të Gjykatës së Apelit.

Në ankesën e tij drejtuar gjykatës së shkallës ë dytë, prokurori ka përshkruar rrjedhën e ngjarjes të natës kritike.

“Nga skica e vendit të ngjarjes është provuar se largësia nga porta hyrëse e stacionit policorë e gjer te vendi i ngjarjes në qendër të Deçanit ku është vrarë tani i ndjeri Ilmi Lufaj ishte mbi 50 metra, ndërsa i akuzuari me të dalë nga porta e stacionit në rrugën kryesore pas 31 metrave ka nxjerrë pistoletën e tij zyrtare dhe me revole në dore ka shkuar drejtë te viktima me qëllim të privimit të tij nga jeta edhe pse në ato momente nuk ishte provokuar apo i kërcënuar nga ana e viktimës”, thuhet në ankesën e prokurorit.

Ndërsa, mbrojtësit e të akuzuarit Shefqet Kameraj, në ankesën e tyre theksojnë se aktgjykimi i shkallës së parë është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetim i gabuar dhe jo i plotë i gjendjes faktike dhe shkelje të ligjit penal në dëm të të akuzuarit.

“Gjykata nuk ka paraqitur qartë dhe në mënyre të plotë faktet që i konsideron të pavërtetuara apo të pabesueshme si që është fjala për ekspertizën psikiatrike e cila është siguruar në mënyre joligjore nga ana e gjykatës si dhe është ftuar eksperti i psikiatrisë dr. Fahri Dervinja si udhëheqës i grupit ë të japë dëshminë e tij për ta elaboruar ekspertizën dhe në tërësi ka mbetur pranë përmbajtjes së dhënë në ekspertizën me shkrim. Është i papranueshëm fakti se gjykata të njëjtën e konsideron si provë  të pabesueshme duke mos i falur besimin e që paraqet veprim të njëanshëm pasi kemi të bëjmë me provë ligjore që detyrimisht është dashur të pranohet” thuhet ndër të tjera bënë  ankesën e mbrojtësve të të akuzuarit Shefqet Kameraj.

Mbrojtja e Shfqet Kamerajt pretendon se Gjykata, ka patur prova të mjaftueshëm se tanimë i dënuari Shfeqet Kameraj veprën e k kryer në gjendje të afektit mendor.

 

Pretendimet e prokurorit se i akuzuari ka kryer hakmarrje të paskrupullt i hedh poshtë Gjykata e Apelit. Siç shihet në Aktgjykim, kolegji i gjyqtarëve të shkallës së dytë ka vlerësuar se gjykata e shkallës së parë ka bërë cilësim të drejtë të veprës penale dhe jo ashtu siç pretendon prokurori me ankesë.

“Prokuroria nuk ka arritur të provojë pretendimin  e saj se në rastin konkret vepra penale është kryer nga hakmarrja a paskrupullte që do ta cilësonte këtë vepër penale dhe se kjo gjykatë pajtohet me konkludimin e gjykatës së shkallës së parë se kemi të bëjmë me vrasje të rëndomtë, sepse pretendimi se i akuzuari është hakmarrë për shkak të fyerjeve që i ka bërë viktima pak minuta më parë nuk mund të konsiderohet si diçka e keqe që i ka ndodhur të akuzuarit por vetëm provokim dhe se fyerjet nga ana e të ndjerit nuk und të jenë bazë që i akuzuari të “hakmerret” gjegjësisht të kryej vrasjen për atë motiv”, thuhet në Aktgjykimin e Apelit.

Pretendimet e mbrojtjes  së të akuzuarit lidhur me atë se Shefqet Kameraj vrasjen e ka kryer në gjendje të afektit mendor, Gjykata e Apelit i hedh poshtë duke arsyetuar se nga ekspertiza e bërë nuk është dëshmuar se vepra është kryer në gjendje afekti.

“Nga kjo ekspertizë nuk është dëshmuar se si mund të konsiderohet se i akuzuari ka kryer veprën në afekt apo gjendje të tronditjes së rëndë  mendore dhe se krejt ekspertiza bazohet vetëm në deklaratën e të akuzuarit dhe se eksperti nuk ka mundur ta bind trupin gjykues po edhe kolegjin e kësaj gjykate se mendimi i komisionit ka mbështetje shkencore”, thuhet në Aktgjykimin  e Apelit, me të cilin ish rreshterit Policorë Shfqet Kameraj i është rritur dënimi nga 13 në 16 vite burgim pasi u gjet fajtorë për vrasjen e Ilmi Lufajt.

Siç shihet në Aktgjykim, Shefqet Kameraj pasi kishte bastisur veturën e Besfort Elshanit ka dalë nga oborri i stacionit të Policisë dhe ka vazhduar në drejtim të viktimës, e cila në ato momente ndodhej mbi 50 metra larg stacionit të policisë në qendër të Deçanit.

“I akuzuari ka vazhduar me bastisjen e veturës së Besfort Elshanit dhe pas kësaj ka dal nga oborri i Policisë e ku viktima ka qenë larg rreth 50 metra dhe periudha nga largimi i viktimës e deri të vrasja kalojnë rreth 5 minuta dhe i akuzuari shihet duke ecur në drejtim të viktimë i qetë dhe duke konsumuar cigare dhe me tu ofruar i afrohet dëshmitari Enver Balaj duk i dalë përpara, por i akuzuari i mënjanohet në anën e vet të djathtë duke shtënë në viktimën. Pastaj e rregullon armën shtënën edhe njëherë në viktimën duke e goditur në kokë në afërsi të syrit të djathtë duke e lënë të shtrirë në vend e që pa mëdyshje vërtetojnë vendosmërinë e të akuzuarit që ta vras viktimën e assesi në gjendje të afektit mendor, pasi me asnjë provë nuk u vërtetuar se ka qenë i provokuar apo i fyer nga an e viktimës”, thuhet në arsyetimin e Gjykatës së Apelit ku hudhen poshtë pretendimet e mbrojtësve të të akuzuarit se “vrasja është kryer nën gjendje të rënduar të afektit mendorë”.

http://kallxo.com/policit-rritet-denimi-per-vrasjen-e-ilmi-lufajt/

http://kallxo.com/?s=shefqet+kamberaj