Varrezat në Krushë (Arkiv). Foto: Ekrem Fazliu

EKSKLUZIVE: Aktakuza për djegien e kufomave në Krushë të Vogël dhe hedhjen në lumin Dri

Më shumë se 19 vjet nga kohët kur ishin kryer këto vepra, një prokuror i Prokurorisë Speciale nga EULEX-i dje ka ngritur aktakuzë ndaj Darko Tashiq i cili ngarkohet më dy pika të akuzës për krime të luftës të kryera në Krushë të Vogël.

KALLXO.com ka siguruar ekskluzivisht aktakuzën që rëndon ndaj Darko Tashiq e cila e rëndon atë për dy vepra penale në lidhje me shkatërrimin e pronave të shqiptarëve dhe përdhosjen e trupave të pajetë.

Tashiq akuzohet se ndërmjet datave 15 dhe 26 mars 1999 në lagjen e njohur si Lagja “Hajdari” në Krushë të Vogël të Rahovecit, në cilësinë e tij si pjesëtar i forcave rezervë të Policisë së Jugosllavisë, në bashkëkryerje me kryes të tjerë ende të papërcaktuar mori pjesë në konfiskim të pasurisë, plaçkitje, shkatërrim të paligjshëm dhe të qëllimshëm të pasurisë (djegie të shtëpive) dhe vjedhjen në shkallë të gjerë të pasurisë.

Sipas aktakuzë e gjithë kjo nuk justifikohej me nevojat ushtarake e që rezultoi me djegien e shtëpive, marrjen e automjeteve, makinerisë bujqësore dhe sendeve të tjera me vlerë që i përkisnin të K.H si dhe anëtarëve tjerë të familjes.

Me këto veprime, sipas aktakuzës, Tashiq, akuzohet se ka kryer veprën penale të plaçkitjes, shkatërrimit të qëllimshëm që nuk justifikohej me nevoja ushtarake sikurse dhe sulmit të rëndë dhe/ose mizor ndaj dinjitetit njerëzor.

Pika tjetër, e akuzës që rëndon ndaj Tashiq është po ashtu për krime të luftës.

Data ndërmjet 26 dhe 27 marsit 1999 shënon kohën që sipas aktakuzës, Tashiq si pjesëtar rezervë  i Policisë së Jugosllavisë së bashku me kryes të tjerë të forcave të MPB-së, mori pjesë në përdhosjen e trupave të pajetë të një numri personash të paidentifikuar duke i djegur ata trupa të pajetë në mënyrë të paligjshme/ose duke kërkuar shkatërrimin e tyre duke i hedhur ata trupa në mënyrë të pahijshme në lumin Drin në një vend që ndodhet jashtë fshatit Krushë e Vogël.

Këto veprime sipas aktakuzës ndaj Tashiq përbëjnë sulm të rëndë dhe/ose mizor ndaj dinjitetit personal dhe njerëzor.

KALLXO.com ka bërë përpjeke përmes telefonit të kontaktojë me avokatin e të akuzuarit por nuk ka arritur të vihet në kontakt me të.

Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi dje se ka ngritur aktakuzë ndaj D.T. Rasti është pjesë e hetimit dhe ndjekjes penale të  Masakrës së Krushës së Vogël.

Meshkujt u Ekzekutuan, u Dogjën, u Hodhën në Lumë