Egjiptianët të mllefosur me Sergio Ramos

Lëndimi që e detyroi sulmuesin e Liverpoolit, Mohamed Salah të largohet nga fusha në minutën e 30-të në finalen e Ligës së Kampionëve, ka shkaktuar zemërim në internet në mesin e egjiptianëve, raporton BBC.

Egjiptiani Salah pati një dëmtim në shpatullën e tij të majtë, pasi kapiteni i Real Madridit, Sergio Ramos kapi krahun e tij ndërsa të dy ishin duke u përpjekur për marrë topin.

Salah, i cili u largua nga fusha në lot, theu zemrën e shumë tifozëve që treguan dashurinë dhe mbështetjen e tyre në mediat sociale.

Disa hashtage të arabëve në përkrahje të Salah dhe të zemëruar kundër Ramos ishin në trend pas ndeshjes, duke mbledhur mijëra tweets.

Shumë përdorues, në postimet me #Ramosthedog (14.9K tweets) dhe #Ramostheanimal (47.9K tweets), nuk e konsideronin lëndimin si aksident.

“Asnjë lojtar nuk shkon duke kapur krahët e lojtarëve ashtu, ishte e qëllimshme, ai meriton të dënohet”, ishte një tweet nga ‘@MemoK896’.

Foto: BBC

Duke shprehur një pikëpamje të ngjashme, siriani @Ismail_hajOsman tha, “Ai e bëri atë me qëllim.”

“Unë kurrë nuk i kam parë egjiptianët kaq të zemëruar në gjithë jetën time. Oh Ramos, çfarë ke bërë?”, ka shkruar ‘@EmanMohy74’.

“Egjiptianët vijnë për Ramosin nëse Salah mungon në Kupën e Botës si …”, kërcënoi @Boshkaaaaa.

‘Të gjithë jemi pas teje’

Shumica e përdoruesve ishin të shqetësuar për gjendjen e Salahut, duke treguar mbështetje masive për yllin e tyre të dashur në hashtage si: “Ne të gjithë jemi Liverpool”.

“Ai është në spital për një fotografim të krahut. Është klavikula ose shpatulla. Nuk duket mirë, kjo është e gjitha”, tha trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp.

Ministri i Sporteve i Egjiptit njoftoi se ylli i Liverpoolit do të ishte i aftë për t’u bashkuar me Egjiptin në Kupën e Botës në Rusi muajin e ardhshëm.

“Diagnoza tregon thjesht se ai pësoi një dëmtim në ligamentet e shpatullës. Koha e paraparë për trajtim është dy javë, me dëshirën e Zotit”, shkroi Khaled Abdul Aziz në Facebook.

Presidenti egjiptian, Abdul Fattah al-Sisi, i uronte Salahut një shërim të shpejtë dhe ka shkruar një tweet në arabisht: “I dëshiroj me zemër kampionit egjiptian Mohamed Salah një shërim të shpejtë pas lëndimit të tij.

“Shpresoj që ai të kthehet shpejtë në fushë dhe se ai vazhdon të jetë një yll i shkëlqyeshëm egjiptian”.

“Ne po ju presim, Salah”, shtoi futbollisti egjiptian i Stoke City, Ramadan Sobhi.

Pas lojës, ambasadori britanik në Egjipt, John Casson, shkroi në gjuhën në arabisht, “Të gjithë në kafene janë të trishtuar, të gjithë për shkak teje, Ramos, me dëshirën e Perëndisë, do të shërosh Abu Mekën [duke iu referuar Salahut] dhe të shkëlqejë në Kupën e Botës. Ne jemi të gjithë pas teje”.

Ndërkohë, një peticion online që bënte thirrje te organi qeverisës i futbollit evropian ‘Uefa’ dhe te organi qeverisës botëror ‘Fifa’ për të ndëshkuar Ramosin, kishte fituar më shumë se 166 mijë nënshkrime të dielën, raporton BBC.