Edita Tahiri, Ministre për Dialog. Foto: Kallxo.com

Edita Tahiri Arsyetohet për Moshapjen e Urës së Ibrit

Edhe pse sot është dashur të hapej për qarkullim ura kryesore e lumit Ibër, e revitalizuar nga BE-ja, me anë të një deklarate për medie ministrja për dialog Edita Tahiri ka treguar se kjo hapje do të shtyhet.

“Zhvillimet negative të kohëve të fundit të nxitura nga Serbia në Kosovë kanë pasur për pasojë ndikimet në vonesat e zbatimit të marrëveshjeve, në veçanti të hapjes së urës së Ibrit e cila pas revitalizimit që është bërë është dashur të hapet sot më 20 janar 2017…, mirëpo Bashkimi Evropian ka shtyrë inaugurimin për arsyet e lartpërmendura,” thuhet në deklaratën e Tahirit të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit.

Edhe në ftesën e djeshme që Federica Mogherini, përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, u bëri Kosovës e Serbisë për vazhdim dialogu më 24 janar, u përmendën zhvillimet e fundit.

“Zhvillimet e ditëve të fundit nënvizojnë nevojën për rritjen e përkushtimit dhe angazhimit të dy palëve përmes dialogut. Progresi në normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë mbetet i një rëndësie të madhe për të dyja palët,” thuhet në deklaratën e Mogherinit që fton për takim.

Të shtunën e kaluar një tren me simbole nacionaliste e fetare serbe u nis nga Beogradi me qëllimin që stacion të fundit ta ketë Mitrovicën Veriore, por pasi institucionet e Kosovës paralajmëruan moslejimin e hyrjes së tij, treni arriti vetëm deri në Rashkë të Serbisë, për t’u kthyer pastaj mbrapsht.

Pas trenit raportet Kosovë-Serbi u tensionuan, ndërsa këtyre raporteve Edita Tahiri ua la fajin edhe pse nuk filloi të zbatohej marrëveshja për drejtësi që duhej të hynte në fuqi më 10 janar 2017.

Tahiri në deklaratë veprimet e Serbisë i cilësoi provokime dramatike.

Serbia ka bërë provokime të njëpasnjëshme me qëllim të destabilizimit të situatës në Kosovë dhe rajon dhe provokimet kanë qenë edhe të përmasave dramatike që përbejnë kërcënim për paqen dhe stabilitetin rajonal.

Në një intervistë për Emisionin “Jeta në Kosovë” të transmetuar më 12 janar Edita Tahiri foli për sukseset dhe dështimet e dialogut të Brukselit.

http://kallxo.com/sukseset-dhe-deshtimet-ne-dialog-sipas-edita-tahirit/