QKUK - Foto: KALLXO.com

Edhe një intervenim i rrallë në QKUK

Në Klinikën e Ortopedisë me Traumatologji të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës është kryer një operacion i rrallë i implantimit te endoprotezës totale të kërdhokullës (vendosje e protezës totale në kërdhokull), tek pacientja 49 vjeçare me luksacion kongjenital të kërdhokullës (çrregullim zhvillimor i kërdhokullës qe nga lindja).

Sipas njoftimit të QKUK-së, pacientja Q.B., 49 vjeçare, me luksacion kongjenital të kërdhokullës së djathtë nuk ishte trajtuar që nga lindja.

Ajo në Klinikën e Ortopedisë është lajmëruar për shkak të problemeve në ecje dhe dhimbje në kërdhokullën e djathtë.

Sipas QKUK-së, pas ekzaminimeve të nevojshme klinike dhe radiologjike është vërtetuar se te pacientja ekstremiteti i poshtëm i djathtë në matje ka shkurtesë 6 cm.

Rasti është cilësuar si i ndërlikuar i këtij lloji në QKUK dhe mjaftë sfidues, që zakonisht kryhet në klinika të specializuara për këtë problematikë.

Pas përgatitjeve preoperatore dhe konsultimin me anesteziologë më 16.05.2018 me anestezion spinal (Dr. Agron Balaj dhe Dr. Islam Krasniqi) dhe ekipi nga ana e ortopedëve me në krye Dr. Arber Tolaj, Dr. Cen Bytyqi, Dr. Rinor Velekinca dhe Dr. Artan Bejta si dhe në instrumentare Fatmire G., kryen intervenimin kirurgjik, ku fillimisht bëhet osteotomia (prerja e kockës) e pjesës së sipërme të femurit, në nivel të trohanterit të vogël, bëhet lirimi i strukturave të buta përreth femurit proksimal, krijimi i acetabulumit primar, dhe bëhet implantimi i endoprotezës (vendosja e protezës ) totale në kërdhokullën e djathtë me cement.

Njëherit është arritur edhe gjatësia e nevojshme e ekstremitetit.

Gjendja e pacientit gjate operacionit ishte stabile dhe pa probleme. Në rëntgen kontrolluese vërehet pozitë korrekte e vendosjes se komponentës acetabulare dhe femorale, njofton QKUK.

Pas operacionit janë kryer ekzaminimet kontrolluese, ku është konstatuar se intervenimi kirurgjik ishte kryer me sukses të plotë, pacientja është ende e hospitalizuar në pritje për të filluar terapinë fizikale sipas protokollit.