Ilustrim: Drogë e konfiskuar në një aksion të mëhershëm të Policisë - Foto: Policia e Kosovës

Edhe një i Arrestuar në Rastin e Policit e Mjekut të Kapur me Drogë

Lajmin për arrestimin e personit të tretë në këtë rast e ka konfirmuar Zyra për Informim e Policisë së Kosovës. Ajo njofton se është arrestuar personi me inicialet A.G, për të cilin KALLXO.com mëson se është Adnan Gërxhaliu.

I arrestuar të mërkurën nën dyshimin për veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge, Gërxhaliu ka dalë sot para Gjykatës Themelore në Mitrovicë, e cila i ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

Prokuroria pretendon se fillimisht tre të dyshuarit janë takuar në kafen “Oki” në Skenderaj dhe nga aty janë nisur për në Mitrovicën Veriore.

Sipas Prokurorisë, Gërxhaliu me veturën e tij “Golf 2”, ka qëndruar përpara makinës në të cilën gjendej narkotiku, me qëllim që t’i paralajmërojë dy të dyshuarit e tjerë në rast se ka ndonjë patrullë policore gjatë rrugës.

Adnan Gërxhaliu është arrestuar në veri të Mitrovicës, ku në një aksion të koordinuar nga IPK dhe Drejtoria e Drogave më 13 korrik në veturën me të cilën po udhëtonin polici hetues Shemsedin Geci dhe stomatoloigu Valon Malaj u zbuluan mbi 7 kilogramë drogë.

Edhe Gecit e Malajt më 14 korrik u ishte caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh nga Gjykata Themelore në Mitrovicë.

http://kallxo.com/paraburgim-mjekut-dhe-policit-te-kapur-droge