Ecja me Pengesa e Qytetarëve te ‘Santea’

Banorët e lagjes “Dardania” janë ankuar në KALLXO.com se disa kafene në rrugën “Xhemajl Mustafa” te “Santea” po e zënë rrugën me tavolina dhe po rrinë hapur e po lëshojnë muzikë më zë të lartë deri në orëm 1:00 pas mesnate.

Ankesat e banorëve edhe në Komunën e Prishtinës për këto probleme i konfirmoi edhe zëdhënësi i saj Adonis Tahiri kur foli për KALLXO.com.

“Për këtë çështje kemi pasur ankesa nga banorët. Inspektorët kanë dalë në vend të ngjarjes, dhe pas urdhëresës së tyre për lirim të hapësirës së lëvizjes, pronarët e lokaleve kanë ndërmarrë masa”, tha Tahiri.

Ai tregoi se së shpejti do të formohet një komision që do të shqyrtojë lëshimin e lejeve të shfrytëzimit të hapësirës publike për këto biznese.

Shumë shpejt do të fillojë punën një komision i veçantë që do të merret me dhënien në shfrytëzim të hapësirës publike për sezonin veror. Në rast të mospërfilljes së vendimeve të këtij komisioni,  do të ndërmarrim masa ndaj atyre bizneseve”, tha Tahiri.

Kafeneja “Mellow” është në pronësi të Besnik Krasniqit, ndërsa përgjigje rreth zënies së hapësirave publike KALLXO.com mori nga menaxheri i saj Rafet Hetemi.

Hetemi bëri të ditur se lokali paguan gjatë verës dhe dimrit shfrytëzimin e hapësirës publike, ndërsa konstatoi se qytetarët kane mjaft hapësirë për të lëvizur.

“Na e paguajmë pjesën që e shfrytëzojmë domethënë hapësirën publike. Kemi pagu dy sezona të dimrit edhe një të verës vitin e kalum. Sa u përket ankesave të banorëve që janë ankuar kinse na e kena nxonë rrugën e s’po kanë rrugë me kalu, nuk është aspak e vërtetë se ka vend të mjaftueshëm për me kalu”, tha Hetemi.

Ai mohoi se kafeneja punon pas mesnatës.

“Orarin e kena prej 7 në mëngjes deri në 12 në mbrëmje, edhe sa i përket zhurmës nuk besoj që e pengojmë dikënd sepse nuk ia lëshojmë zanin që me pengu dikënd”, tha Hetemi.

Nazlije Ademi një banore pranë këtyre lokaleve u ankua më shumë për pengimin e lëvizjes sesa për zhurmën nga muzika.

“Nuk po mundemi as me ecë aq ma pak me karrocë me fëmi, se ma herët fëmija kanë dalë me lujt me top e me biçikleta, e tash s’kanë ku dalin. Muzikë nuk lëshojnë mbas dymbëdhjetëve, por me karrige po e zëjnë rrugën”, tha Ademi për KALLXO.com.

Por Baki Cakolli, pronari i kafenesë “Aqua”, njësoj si menaxheri i lokalit “Mellow”, tha se qytetarët kanë mjaft hapësirë për të lëvizur.

“Çdo verë e çdo dimër ia paguajmë komunës. Tash na po mundohemi sa më shumë me i lon hapësirë por, qysh po ja bojnë krejt po ja bojmë edhe na, s’po mundesh veç ti me u dallu”, tha Cakolli.

Gjatë stinës së verës Drejtoria e Shërbimeve Publike, Mbrojtjes dhe Shpëtimit në Komunën e Prishtinës angazhon një komision për inspektimin e kafeneve që shfrytëzojnë hapësirat publike, por nuk përcaktohet hapësira që duhet lënë për këmbësorë.

Për kompleksin e kafeneve te “Santea” qytetarët ishin ankuar edhe në janar të këtij viti, kur katër persona ishin lënduar nga rrëzimi i çadrave për shkak të borës.

Atëherë ankuesit këtë pjesë të Prishtinës me ironi e kishin quajtur zonë bregdetare.

http://kallxo.com/ankesa-per-cadrat-te-santea-pas-lendimeve/