Hilmi Jashari

E Rëndë Gjendja e Fëmijëve me Aftësi të Kufizuara

Hilmi Jashari, sipas një komunikate të lëshuar nga Institucioni i Avokatit të Popullit, teksa vizitoi Organizatën Joqeveritare “Pema” tha se fëmijëve me aftësi të kufizuara nuk po u ofrohen mundësi për një jetë më të lehtë.

Organizata “Pema” ka zhvilluar aktivitete sociale për fëmijët me aftësi të kufizuar në katër qendra të kujdesit ditor në Ferizaj, Gjilan, Pejë e Prizren, por këto qendra jan=ë mbyllur në fillim të këtij viti për shkak të vështirësive financiare.

Sipas Jasharit fëmijët me aftësi të kufizuara po përballen me vështirësi të shumta gjatë arsimimit.

“Në fushën e arsimit, përkatësisht, në shkollë, përballen edhe me infrastrukturë joadekuate shkollore, mungesë të asistentëve personalë, mësuesve mbështetës e shumë herë edhe të planeve individuale arsimore, gjë që u mohon atyre gëzimin e plotë të së drejtës për arsim cilësor, gjithëpërfshirës, ashtu si është përcaktuar me ligj,” thuhet në komunikatën e Institucionit të Avokatit të Popullit.

Sipas Jasharit, këta fëmijë hasin në vështirësi edhe në fushën e shëndetësisë edhe sa i përket realizimit të së drejtës për shërbime shëndetësore cilësore dhe pa pagesë, ngase jo gjithherë kanë mundësi të sigurojnë barnat falas dhe pajisjet tjera që do u mundësonin përmirësimin e shëndetit, lëvizjen e lirë dhe jetën me dinjitet.

Jashari në takim me përfaqësues të “Pemës” deklaroi se mbyllja e katër qendrave ditore do ta përkeqësojë edhe më shumë gjendjen e fëmijëve me aftësi të kufizuara.

Avokati i popullit ftoi institucionet që të ndihmojnë në mënyrë që qendrat ta vazhdojnë punën.

“Avokati i Popullit fton autoritetet qendrore, komunale, por edhe të tjerët që mund të ndihmojnë në këtë aspekt, që këtyre qendrave t’u ofrojnë mbështetjen e nevojshme, përfshirë këtu  edhe atë financiare, që ato të vazhdojnë punën dhe fëmijëve t’u ofrohet ndihma dhe shërbimet përkatëse sociale,” kërkon avokati i popullit.

Deri në fund të 2016-ës në këto katër qendra aktivitetet i ndjekën rregullisht 350 fëmijë me aftësi të kufizuara.