E Diela, Ditë e Rëndësishme për Zhvillimet në VV

E diela mund të jetë dita kur anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, organit më të lartë vendimmarrës të kësaj partie, mund t’i diskutojnë problemet që kanë pllakosur këtë parti tash e një javë.

Iniciatorët e mbledhjes së nënshkrimeve për thirrjen e kësaj mbledhjeje duket se i kanë mbledhur firmat e nevojshme për ta bërë këtë.

Deputetja e VV-së, Fitore Pacolli, paralajmëroi sonte se nënshkrimet e mbledhura për këtë iniciativë do t’i dorëzohen nesër kryetarit të Këshillit të Përgjithshëm, Hydajet Hysenit për ta thirrur mbledhjen për të dielën, më 17 dhjetor.

“Gjatë tre ditëve të fundit ka patur një kërkesë të drejtë dhe të shtruar masivisht nga anëtarësia e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, për të mbajtur mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, organit më të lart vendimmarrës”, tha Pacolli në një postim në Facebook.

Ajo tha se mbledhja e fundit e këtij Këshilli është mbajtur më 20 gusht 2017, dhe me Statut mbledhjet e këtij organi duhen mbajtur “së paku një herë në tre muaj”.

“Me bindjen e thellë te parimet e demokracisë së brendshme të Lëvizjes Vetëvendosje, gjatë ditës së sotme, në përputhje me Statutin dhe Rregulloren e Organeve Vendimmarrëse, janë mbledhur nënshkrime nga delegatët e Këshillit të Përgjithshëm për ta mbajtur mbledhjen e këtij Këshilli ditën e diel, data 17 dhjetor 2017”, shtoi Fitore Pacolli.

http://kallxo.com/biseda-ne-viber-qe-mund-ta-ndaje-vetevendosjen/

“Deri tani e kanë dhënë nënshkrimin e tyre për ta mbajtur këtë mbledhje 2/3 e të gjithë delegatëve të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje. Me Statut dhe Rregullore nevojitet vetëm 1/5 e nënshkrimeve e të gjithë delegatëve të Këshillit për ta thirrur e për ta mbajtur këtë mbledhje. Kështu, tashmë kriteri është përmbushur, por ka ende delegatë që dëshirojnë të nënshkruajnë dhe kemi vendosur që të presim dhe pak që ata të na e kthejnë të plotësuar formularin e grumbullimit të nënshkrimeve”, tha Pacolli.

Lëvizja ‘Tektonike’ e Vetëvendosjes