Pamje nga Vushtrria

Dyshohet për Mashtrim Organizata që nuk Pagoi Edukatoret

Avni Melenica, përfaqësuesi i organizatës joqeveritare “Smart” pas shkëputjes së kontratës me Komunën e Vushtrrisë po dyshohet për mashtrim.

Melenica bashkë me këtë organizatë kishte marrë përgjegjësinë që në bazë të një projekti të bënte punësimin e 25 edukatoreve, por dështoi t’u paguajë atyre rrogat mujore.

“Smart” kishte lidhur kontrata pune në kohëzgjatje prej 6 muajsh për secilin vend pune në nivelin parashkollor, ndërsa edukatoret e këtij projekti punën e kishin nisur në shtator ë këtij viti.

Në bazë të informatave nga Drejtoria e Arsimit mësimet në nivelin parashkollor në kuadër të këtij projekti janë zhvilluar normalisht, por deri në muajin tetor nuk u janë pagat asnjërës prej edukatoreve.

Për moskryerjen e obligimit për pagat e tyre, të punësuarit kanë paraqitur rastin në polici, duke akuzuar Avni Melenicën për mashtrim.

Avni Zahiti, zëdhënës i Policisë në Rajonin e Mitrovicës ka konfirmuar për KALLXO.com dyshimet ndaj Melenicës.

“Është hapur rasti në polici dhe po hetohet si i dyshuar për mashtrim. Jemi duke marrë deklaratat e mësimdhënësve, rasti po vazhdon të hetohet”, tha Zahiti për KALLXO.com.

Se dha deklaratë në polici e pranoi edhe vetë Avni Melenica.

“Unë kam qenë në polici në Departamentin e  Krimeve të Rënda me dhanë deklaratë dy ditë pasi që është shkëputë kontrata. Rasti është në Departamentin e Krimeve të Rënda, është iniciuar procedura dhe tash e vërtetojnë a është rasti për prokurori, a me ec më tej apo jo”, tha Melenica për KALLXO.com

Organizata “Smart “ ishte paraparë të punësonte sivjet 25 edukatore, ndërsa në katër vjetët e ardhshëm këtij numri çdo vit do t’i shtonte nga njëzet të punësuara tjera në arsimin parashkollor.

Edukatoret do të merrnin 350 euro në muaj, ndërsa për pesë vjet radhazi për pagat e tyre do të duheshin 420 mijë euro.

Kjo marrëveshje bashkëpunimi ishte nënshkruar me datën 21 korrik 2017 për krijim të vendeve të punës në nivelin parashkollor në shkollat e Komunës së Vushtrrisë.