Logoja e kompanisë së përzgjedhur për ekskursionet në Pejë | Foto: KALLXO.com

Dyshime Rreth Ofertës Fituese të Ekskursioneve në Pejë

“Drejtësia në Kosovë” transmetoi të premten gjetjet e një hulumtimi për dyshimet rreth një skeme të organizuar të korrupsionit në organizimin e ekskursioneve të maturantëve në Shqipëri.

Sipas hulumtimit të “Drejtësisë në Kosovë” maturantët paguan më shumë për qëndrimin e tyre në Shqipëri, edhe pse çmimet në hotelet e Durrësit mbeten të njëjta-11 euro për qëndrimin 1 ditor.

Akuzat e dyshime për kurdisje të tenderëve për ekskursionet ka edhe në Komunën e Pejës.

Kompania “Air Zekaj Tours” që fitoi në Pejë për dërgimin e maturantëve në Shqipëri është akuzuar për afërsi me Lidhjen Demokratike të Kosovës e cila qeveris me këtë komunë.

Pronarët e kompanive konkurrente në Pejë, ofertat e të cilëve nuk fituan, ankohen se njëri nga familjarët e pronarëve të “Air Zekaj Tours” Faruk Zekaj është anëtar Kryesisë i LDK-së në Pejë dhe një familjar tjetër zyrtar komunal në Komunën e Pejës.

Haki Nimonaj nga kompania “Pranvera” i tha “Drejtësisë në Kosovë” se oferton që tre vjet për ekskursionet, por nuk fiton.

“Ne nuk kemi fituar po ka fituar kompania e cila ka qenë më e shtrenjtë me çmim prej 99 eurosh, kurse ne e kemi pasë 85 euro dhe këtu më duket që janë edhe lidhjet partiake që siç dihet z. Faruk Zekaj është anëtar i Kryesisë së LDK-së dhe vëllai i tij Faik Zekaj është i punësuar në komunën e Pejës dhe mua me duket kjo është arsyeja që fiton prej që ka hy LDK-ja në pushtet”, theksoi Nimoni.

Edhe Shaqë Fetaj pronari i kompanisë “Try tours” në Pejë tregoi se ka fituar kompania më e shtrenjtë.

“Oferta jonë ka qenë 80 euro, ka fituar ofertuesi me çmimin më të shtrenjtë prej 99 eurove me 10 % gratis dhe kjo sigurisht me lidhjet që i kanë me zyrtarët komunalë”, theksoi Fetaj.

Faik Zekaj, zyrtar komunal në Drejtorinë e Kulturës në Pejë, tha për “Drejtësia në Kosovë” se është vetëm familjar dhe jo edhe bashkëpronar i kompanisë “Air Zekaj Tours”, ndërsa bëri të ditur se nuk ka mundur të ndikojë në këtë proces. Kurse Faruk Zekaj nuk u lajmërua në telefon.

Se Faruk Zekaj është anëtar i Kryesisë së LDK-së në Pejë e konfirmoi sekretari i LDK-së në këtë komunë Engelbert Zefaj.

Por pronarët e “Air Zekaj Tours” mohuan se fitoi oferta e tyre për ekskursionet nga lidhjet e mundshme me LDK-në.

Ankesat e konkurrentëve të “Air Zekaj Tours” mund t’i ndiqni në linkun në vijim.

Të dhënat e  Ministrisë së Arsimit në Kosovë tregojnë se brenda vitit  26-27 mijë maturantë përfundojnë shkollën e mesme.

Një përllogaritje e thjeshtë tregon se për këto ekskursione shpenzohen rreth 2.7 milionë euro-para këto të cilat paguhen nga xhepi i prindërve.