Selia e EULEX-it

Dyshime për Korrupsion në EULEX, Jep Dorëheqje Gjyqtari Simmons

Udhëheqësi i gjykatësve të EULEX-it, britaniku Malcolm Simmons, në një intervistë për gazetën franceze “Le Monde” ka treguar arsyet e dorëheqjes së tij nga ky mision.

Ai ka folur për keqfunksionime të mëdha në institucionin i cili gjykon rastet e rënda të korrupsionit dhe disa krime lufte në Kosovë.

Në intervistë, Simmons thotë se javëve të fundit ka denoncuar shumë raste të korrupsionit brenda misionit.

“Në veçanti, unë kam ngritur çështjen e hyrjes në e-mailin tim privat nga një gjyqtar tjetër i EULEX-it”, ka thënë gjyqtari Malcolm Simmons.

Ai tregon se për këtë e ka njoftuar Ministrinë Britanike të Punëve të Jashtme dhe BE-në, por se kanë refuzuar ta mbështesin.

I pyetur se si e di që gjykatësi i ka hyrë në e-mail, Simmons është përgjigjur se ky gjykatës u ka treguar gjykatësve të tjerë disa prej e-mail-ve.

“Ai dëshironte të dinte se çka dija unë rreth lidhjes së tij me një gjykatëse tjetër, sepse ai e dinte se unë po bëja hulumtime rreth kësaj çështjeje. Unë, në fakt, kisha pranuar një ankesë nga mbrojtja në rastin “Drenica” rreth mënyrës se si është formuar juria. Ai kishte kërkuar që kjo gjykatëse të emërohej në këtë dosje. Ai më kishte thënë se kishin një lidhje dhe se ai dëshironte të kalonte më shumë kohë me të… E tërë kjo është në kundërshtim me procedurën normale”, ka thënë Simmons.

Më tutje, gjykatësi britanik thotë se EULEX nuk është një mision që synon promovimin e shtetit ligjor.

“Është një mision politik. Kushdo që e mendon të kundërtën është ose naiv ose i marrë. EULEX dëshironte ‘ta rrëzonte’ një pjesë të klasës politike kosovare, sikur Fatmir Limaj…”, thekson Malcolm Simmons në këtë intervistë për “Le Monde”.

Në vitin 2015 edhe Maria Bamieh ngriti akuza për korrupsion në EULEX.

http://kallxo.com/maria-bamieh-shprehet-se-e-kane-kercenuar/