Objekti i Komunës së Mitrovicës | Foto: KALLXO.com

Dyshime për Favorizim në Punësim në Komunën e Mitrovicës

Komuna e Mitrovicës ka punësuar dy inspektorë të shërbimeve publike në Drejtorinë e Inspektimeve në konkursin e hapur në muajin korrik të këtij viti. Në fund të muajit shtator nëpërmjet një njoftimi, Komuna e Mitrovicës publikoi emrat e  dy kandidatëve të pranuar. Bedri Muja dhe Bahri Kalludra kanë qenë kandidatët më të suksesshëm.

Por, KALLXO.com ka pranuar raporte nga të paktën dy persona qysh në fillim të muajit shtator për ata që do të punësohen në këto pozita. Raportimi ishte bërë ende pa u mbyllur konkursi, përkatësisht në kohën kur bëhej testimi me shkrim i kandidatëve. Në njërin nga raportimet e qytetarëve të bëra në rrjetin social “Facebook” janë përmendur të dy emrat e personave të punësuar, B.Muja dhe B.Kalludra.

Kurse, raportimi tjetër që ka ardhur në KALLXO.com ka përmendur vetëm njërin nga të punësuarit. Këto raportime tregojnë se emrat që janë punësuar në këto dy pozita kanë qenë të paracaktuar më herët.

Raportimi ishte bërë me 8 shtator, në ditën kur në Komunën e Mitrovicës është bërë testimi me shkrim i kandidatëve për këto dy pozita.

Pas pranimit të raportimeve, KALLXO.com gjatë kësaj kohe e ka pyetur Komunën e Mitrovicës për emrat e përfolur për punësim në këto pozita dhe për akuzat e qytetarëve për kurdisjen e konkursit për punësimin e këtyre dy inspektorëve.

“Ne nuk e predikojmë rezultatin e intervistës. Komisioni Përzgjedhës për Shërbimin Civil për pozitën në fjalë ka kompetencat e plota për vlerësimin e secilit kandidat dhe se emërimi do bëhet në bazë të raportit përfundimtar të atij komision,” thuhet në përgjigjen e  Zyrës së Personelit në Komunës së Mitrovicës të dhënë me datën 20 shtator, para se të merrej vendimi për përzgjedhjen e kandidatëve të suksesshëm në këtë konkurs.

Komuna e Mitrovicës në muajin shtator nëpërmjet një njoftimi publikoi emrat e dy kandidatëve të pranuar Bedri Muja dhe Bahri Kalludra. Pas shpalljes së rezultateve, KALLXO.com ka pranuar ankesa të reja nga ish kandidatët që aplikuan për këto pozita. Ata kanë kërkuar që të mos u përmendet emri, pasi thonë se do të ndjekin rrugën ligjore duke u ankuar në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

KALLXO.com ka kontaktuar me personat e punësuar në Komunën e Mitrovicës.

Bedri Muja nuk ka dashur të prononcohet lidhur me mënyrën e përzgjedhjes së tij në këtë pozitë dhe ndikimet e mundshme politike nga AKR-ja parti kjo që qeveris Mitrovicën.

“Më mirë kish me qenë me e pyet komunën institucion ky që ka vendosur për përzgjedhjen time,” tha Muja.

I përzgjedhuri tjetër Bahri Kalludra tha se është pjesë e LDK-së, porse insiston se partia nuk i ka ndihmuar në punësim. Drejtoria ku Kalludra u përzgjodh për punë udhëhiqet nga drejtori i LDK-së, Naim Hajra.

“Unë kam qenë dhe jam pjesë e LDK-së, jam kryetar nëndege në fshatin tim, por jam edhe veteran i luftës. Prej që kam dalë nga TMK-ja jam i papunë. Me kanë që me kish ndihma partia nuk me kish lënë pa punë që disa vjet,” tha Kalludra.

Komuna e Mitrovicës vazhdon të këmbëngul se janë respektuar të gjitha kriteret e konkursit, duke mos dhënë sqarime së pse është krijuar kjo zhurmë për ndikime politike.

“Komuna ka respektuar kriteret e konkursit dhe komisioni ka vendosur që të dy kandidatët janë më të mirët për përzgjedhje në këto pozita andaj palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Mitrovicës.

KALLXO.com pati raportuar me herët për rastet tjera të përshtatjes së konkursit në Komunën e Mitrovicës.

Një rast ka qenë në Drejtorinë e Financave-kandidati Ragip Hyseni ishte ankuar së komuna e përshtati konkursin për kandidatët e preferuar.

http://kallxo.com/ankohet-per-pershtatje-te-konkursit-nga-komuna/

Rasti tjetër ka qenë në muajin maj të këtij viti për pozitën zyrtar i shërbimeve sociale në Qendrën për Punë Sociale të Mitrovicës. Edhe këtu dy kandidatë ishin ankuar në KALLXO.com një muaj para se të mbyllej konkursi duke treguar emrin e tash të punësuarës.

http://kallxo.com/kandidatet-komuna-e-mitrovices-e-pershtati-konkursin/