Dyshime për Favorizim në Ankandin për Garazh në Mitrovicë

Kompania kishte ofertuar çmimin më të lirë krahasuar me dy kompanitë tjera konkurrente.

Tropik për ndërtimin e një objekti garazhues në një parcelë prej 1904 metra katrorë ka ofertuar më një çmim prej 285 euro në muaj. Kompania tjetër “Burimi” ka ofertuar me një çmim prej 855 euro, ndërsa “Florenti” me 760 euro.

Komisioni i komunës së Mitrovicës rekomandoi që ndërtimi dhe shfrytëzimi i këtij objekti garazhues t’i jepet në shfrytëzim Kompanisë “Tropik” me qira mujore prej 285 euro.

“Komisioni Vlerësues për dhënien në shfrytëzim të pronës së paluajtshme të Komunës… unanimisht ka miratuar ofertën e paraqitur nga Operatori Ekonomik N.T.P, “Tropik”, si ofertë e cila i ka plotësuar kriteret (kushtet) e përcaktuara me Ankand Publik”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Komuna e Mitrovicës.

Kjo është në kundërshtim me pikën e pestë të ankandit publik, në të cilin shpjegohen kriteret e dhënies së kontratës.

“Kontrata do t’i jepet Operatorit Ekonomik i cili i plotëson të gjitha kushtet minimale të kualifikimit të përcaktuara në pikën III të këtij njoftimi dhe që ofron çmimin më të lartë mbi çmimin minimal të përcaktuar në pikën IV të këtij njoftimi publik”, thuhet në pikën e pestë të ankandit publik.

Dy kompanitë tjera “Burimi” dhe ‘Florenti” që ofertuan e nuk fituan, po paralajmërojnë ankesë ndaj vendimit të komunës, pasi sipas tyre komisioni e dëmtoi buxhetin e kësaj komune për rrethi 100 mijë euro pasi që ato ofruan me shumë.

Vendimi i komunës së Mitrovicës për fituesin e garazhave.
Vendimi i komunës së Mitrovicës për fituesin e garazhave.

Kjo pronë sot përdorët si parking për veturat zyrtare të Komunës së Mitrovicës. Para kësaj kohe aty ka qenë i vendosur stacioni i policisë në Mitrovicë deri sa udhëheqja e kaluar e komunës së Mitrovicës mori vendim për rrënimin e tij.

Kryetari i këtij komisionit, Egzon Jashari, tha se komuna e Mitrovicës ka respektuar të gjitha procedurat. Ai nuk deshi të komentojë se pse është vendosur për çmimin me të lirë.

“Komisioni Komunal ka respektuar të gjitha proceduar e ankandit, kemi pasur tri kompani ofertues dhe fitues është shpallur kompani “Tropik”, nga Mitrovica. Gjithsesi së palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese brenda afatit ligjor”, theksoi Jashari.

Burim Fazliu nga kompani ofertuese “Burimi” tha se do të bëjë ankesë ndaj këtij vendimi.

“Ne normalisht se do të bëjmë ankesë sepse kemi ofruar çmimin me të mirë prej 855 euro në muaj dhe nuk kemi fituar ka fituar një kompani që ka ofruar një çmim shumë të ulët”, tha Fazliu.

Ankesë po paralajmëron edhe kompania tjetër ofertuese “Florenti”. Menaxheri i saj Kasim Beqiri tha se vendimi i komunës së Mitrovicës e ka habitur shumë.

“Nuk e di qysh ka mundësi të shpallet fitues një kompani që ofron 285 euro në muaj qira dhe të anashkalohen dy të tjera që ofrojnë shuma më të mëdha. Ne kemi ofruar 760 euro në muaj qira komunës dhe nuk kemi fituar”, theksoi Beqiri.

Në anën tjetër Smajl Shabani nga kompania fituese “Tropik” tha se ka fituar për shkak se i ka plotësuar kushtet e këtij ankandi publik.

“Jemi shpallur fitues sepse i kemi plotësuar më së miri kushtet e ankandit publik, nuk ka qenë në pyetje çmimi por ajo se çka kemi ofruar”, theksoi Shabani.

Ndërsa Egzon Jashari tha së ditëve në vazhdim do t’i ofrojë të gjitha dëshmitë për KALLXO.com se pse komisioni që ai udhëhoqi vendosi për kompaninë “Tropik”.