Dyfishohen votat e pavlefshme | Grafika: KALLXO.com

Dyfishohen Votat e Pavlefshme nga Viti 2010

Në zgjedhjet e para dy ditëve kishte dyfishim të numrit të votave të pavlefshme në raport me zgjedhjet e vitit 2010.

Në këto zgjedhje 52 mijë e 522 fletëvotime janë shpallur të pavlefshme nga Komisioni Qendror Zgjedhor, pasi votuesit ose kishin votuar gabim, ose i kishin futur të zbrazëta në kuti fletëvotimet, ose në to kishin shprehur mllef e mospajtim me politikanët garues.

Në zgjedhjet e vitit 2010 të pavlefshme ishin shpallur 27 mijë e 886 fletëvotime që po të krahasohen me zgjedhjet e 11 qershorit 2017, ka ndodhur thuajse dyfishim i tyre.

Shtatë vjet më parë 4 mijë e 668 fletëvotime ishin të zbrazëta, ndërsa 1 mijë e 236 ishin të dëmtuara.

Edhe në zgjedhjet e vitit 2014 numri i fletëvotimeve që u shpallën të pavlefshme ishte më i vogël. Para tre vjetësh të pavlefshme u shpallën 30 mijë e 725 fletëvotime, nga të cilat  të zbrazëta ishin numëruar 4 mijë e 842 fletëvotime, ndërsa të dëmtuara u vlerësuan 1899.

Edhe përqindja e daljes në zgjedhje më 11 qershor ishte më e vogël se në zgjedhjet e 2014-ës dhe 2010-ës. Pardje, sipas KQZ-së, pas mbylljes së vendvotimeve votuan 40.02 për qind të atyre që kanë të drejtën e votës.

Në vitin 2014 votuan 42.63 për qind, ndërsa në vitin 2010 45.29 për qind.

KALLXO.com shkroi për mesazhe të votuesve në disa nga fletëvotimet e shpallura të pavlefshme.

http://kallxo.com/mesazhet-e-llapjaneve-per-partite-politike-ne-fletevotime/

Zgjedhjet e parakohshme të 11 qershorit  u caktuan pasi Kuvendi i Kosovës me një mocion mosbesimi rrëzoi qeverinë më 10 maj.

Të drejtë vote në zgjedhjet e 11 qershorit patën 1 milion e 872 mijë e 941 votues në 889 qendra votimi.

Votues që kishin të drejtë vote për herë të parë ishin 118 mijë e 448 persona, ndërsa nga listat janë larguar 33 mijë e 542 persona të vdekur.

Zgjedhjet u monitoruan nga 30 mijë vëzhgues, 100 nga ta të BE-së.