Foto: Ilustrim

Dyfishimi i Çmimit të Planifikuar për Tender në MFSK

Një e gjetur tjetër është planifikimi jo i mirë i buxhetit për aktivitetin e prokurimit. Në këtë pikë Ligji i buxhetit për vitin 2016 përcakton lëvizjen e mjeteve të alokuara nga një projekt kapital në tjetrin brenda nën programit të njëjtë të Organizatave Buxhetore. Nëse kërkesa për alokime është mbi 25% të shumës së buxhetuar atëherë kërkohet aprovimi nga Kuvendi.

“Në lëndën “Furnizim me pajisje për çminim për nevojat e FSK-së”, planifikimi për këtë kontratë ishte 50,000 euro, ndërsa kontrata është nënshkruar me vlerë 98,856 euro, ose për afro 100% më e lartë. Lidhur me këtë nuk janë respektuar procedurat e ligjit të buxhetit”, thuhet në raport.

Sipas auditorit, planifikimi jo i duhur i buxhetit për projekte të caktuara si dhe pagesa e tyre shumë më e lartë se mjetet e ndara, pamundëson realizimin e të gjitha projekteve të përcaktuara në tabelën e buxhetit, e me këtë edhe realizimin e objektivave të organizatës.

Auditori ka gjetur se kishte vonesë prej më shumë se 30 ditë në vlerësimin e tenderit për lëndën “Furnizim me material ndërtimor dhe pajisje për mirëmbajtje te objekteve të infrastrukturës përcjellëse të FSK-së”.

Sipas auditorit, vonesat në zhvillimin e procedurave të vlerësimit, rrisin rrezikun për mos arritjen e objektivave të organizatës.

“Vonesat në realizimin e projekteve gjithashtu mund të rezultojnë në rritjen e obligimeve në fund të vitit, të cilat mund të jenë barrë për buxhetin e vitit vijues”, thuhet në raport.

Po ashtu auditori ka gjetur edhe mirëmbajtje jo të mirë të dosjeve të personelit.

“Si rezultat i ekzaminimit të dosjeve, në tri prej tyre dosjet nuk ishin plotësuar me të gjitha dokumentet e kërkuara. Kryesisht mungonin disa prej dokumenteve siç janë: kualifikimet (diploma), pushimet, vlerësimet e performancës si dhe përshkrimi i detyrave të punës”, thuhet në raport.

Sipas të njëjtit, mangësitë e paraqitura në mirëmbajtjen e dosjeve mund tё humbin besueshmërinë ndaj kontrolleve në personelin e MFSK-së.

“Mos përshkrimi i detyrave/përgjegjësive të punësuarve mund të krijojë paqartësi gjatë punës, përderisa mos kryerja e vlerësimit të punës për të punësuarit, mund të ketë efekt negativ në performancën e tyre dhe të organizatës në përgjithësi. Kjo gjithashtu pamundëson identifikimin e fushave për përmirësim dhe zhvillimin e të punësuarve”.

Në përgjithësi raporti tregton se MFSK ka bërë progres në zbatimin e rekomandimeve të vitit paraprak, përveç në fushën e menaxhimit të personelit, të cilat barten si rekomandime edhe për vitin tjetër.

“Është treguar progres në menaxhimin e personelit, megjithatë ende mbetet sfidë për MFSK-në kompletimi i dosjeve të personelit”, thuhet në raport.