Gjykata Themelore në Prizren

Dy Vjet Burg për Lëndimet e Shkaktuara në Aksident

Gjykata Themelore e Prizrenit, Departamenti i Përgjithshëm Penal ka bërë shpalljen e aktgjykimit ndaj të akuzuarit me iniciale L.M. nga Prizreni dhe e ka shpallur fajtor duke e dënuar me dy vjet burg për veprën penale rrezikimi i trafikut publik.

Sipas njoftimit të gjykatës, më datën 01.03.2017 rreth orës 23:10 minuta duke lëvizur në rrugën dyshiritore njëkahore “Joni” nga drejtimi i rrugës “Zahir Pajaziti” me të arritur përballë pastiçerisë “Karameli” i akuzuari ka shkelur Ligjin mbi Trafikun Publik duke vepruar në kundërshtim me nenet 49 dhe 150 të Ligjit për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor.

Në nenin 49 të Ligjit për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor shpjegohet se si duhet të vozisë një shofer me makinën e tij në rrugë, ndërsa neni 150 sqaron obligimet e shoferëve të automjeteve ndaj këmbësorëve.

Sipas komunikatës së gjykatës, i akuzuari duke drejtuar automjetin e udhëtarëve të markës “Audi”A3 kur arrin në vendin kritik, shpejtësinë e lëvizjes së automjetit nuk ua ka përshtatur kushteve dhe rrethanave në rrugë, si dhe nuk u ka kushtuar kujdes të duhur këmbësorëve.

Gjykata njofton se me pjesën frontale të automjetit i akuzuari ka goditur të dëmtuarin me iniciale T.B., i cili ishte duke kaluar rrugën nga krahu i djathtë i lëvizjes së automjetit, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Si rezultat i veprimeve të lartëcekura, gjykata e ka gjetur fajtor të akuzuarin L.M. dhe e ka dënuar me dy vjet burg efektiv.