Ilustrim

Dy versionet e Agron Mustafës për Nazim Sahitin për sulmin e dhjetorit

Ish- drejtori i “Valës”, Agron Mustafa dhjetorin e vitit të kaluar është sulmuar në një rrugë të kryeqytetit.

Në një konferencë të jashtëzakonshme më 30 dhjetor të vitit të kaluar në orët e vona të mbrëmjes, Mustafa pati deklaruar para gazetarëve se Avni Berisha (Tarkani) dhe shefi i krimeve ekonomike në Policinë e Kosovës, Nazim Sahiti e kanë sulmuar në mes të ditës pa asnjë arsye.

“…nga video shihet ku Nazimi (Nazim Sahiti shef i krimeve ekonomike në PK) largon shoqëruesin tim apo personin me të cilin isha, dhe ja lejon qasjen Tarkanit që të vijë dhe të më gjuhet mua direkt në trup, duke më kapë për jakne e duke tentu me më ngrehë zhag. Për një moment e dëgjoj që dikush m’ka kapë mbrapa fuqishëm edhe po m’shtyn, edhe kur kthehem i them ‘Nazim ti je’, ai më thotë ‘hup prej këtu se kështu e kështu nanës ja boj’, kthena prapa i them Nazim… e ai ma kthen ‘hup ma shpejt se kështu e kështu ta bëj”, pati thënë Mustafa para gazetarëve.

Ai më pas pati deklaruar se Sahiti e Berisha kanë keqpërdorur detyrat duke përdorur mjetin e identifikimit të punës për të sulmuar Mustafën.

Por në deklaratën që ish – drejtori i “Valës”, Agron Mustafa ka dhënë para prokurorisë, ka shfajësuar shefin e krimeve ekonomike, Nazim Sahitin, duke thënë se ai është munduar ta qetësojë situatën.

KALLXO.com ka siguruar aktakuzën e cila është ngritur ndaj policit Avni Berisha i njohur si ‘Tarkani’, në të cilën përfshihen edhe dëshmitë e dëshmitarëve të sulmit ndaj Agron Mustafës.

“…me këtë rast duke parë mënyrën e komunikimit kam reaguar duke iu drejtuar Tarkanit me fjalët “Tarkan çka ki kështu..” me këtë rast Tarkani pa asnjë fjalë më ka sulmuar dhe se fillimisht më ka goditur me grusht në pjesën e majtë të kokës, e më pas me grushte dhe me shkelma në pjesë të ndryshme të trupit, gjë që shihet edhe në bazë të video incizimeve. Gjatë kësaj kohe për një moment një person nga mbrapa më ka kapur për mesi dhe më ka shtyrë dhe me këtë rast kur jam kthyer kam vërejtur se ai person ishte zyrtari policor Nazim Sahiti dhe atëherë unë i jam drejtuar “Nazim çka është kjo kështu” dhe ai ma ktheu “ik prej këtu…” dhe pas kësaj jam larguar nga aty (Agron Mustafa) dhe së bashku me Fatosin kemi shkuar në stacionin policor Qendra në Prishtinë, për ta lajmëruar rastin. Ndërsa, sa i përket se Nazim Sahiti a ka përdorur forcë nda tij, i njëjti (Agron Mustafa) ka deklaruar se “Nazim Sahiti nuk e ka goditur por që ka ndërhyrë për të qetësuar situatën…”, është deklarata e Mustafës para prokurorisë.

KALLXO.com publikoi edhe aktakuzën e ngritur ndaj Avni Berishës (Tarkani) për veprën lëndim i lehtë trupor ndaj ish- drejtorit të “”Valës”, Agron Mustafën.

http://kallxo.com/ekskluzive-aktakuza-ndaj-tarkan-it-deklaratat-e-agron-mustafes-shfajesuan-nazim-sahitin/

Në lidhje me rastin e sulmit ndaj Mustafës, IPK pati suspenduar Avni Berishën ndërsa nuk ka hetuar edhe shefin e krimeve ekonomike, Nazim Sahitin.

http://kallxo.com/zyrtare-ipk-nuk-heton-nazim-sahitin-per-sulmin-ndaj-agron-mustafes/