Nga një aksident i mëhershëm në Magjistralen Prishtinë-Pejë | Foto: KALLXO.com

Dy të Vdekur në Aksidentin e Klinës

Sipas policisë, tri automjete janë përfshirë në aksidentin e sotëm në Magjistralen Prishtinë-Pejë te Dollci i Klinës, në të cilin vdiqën dy persona dhe u lënduan tre të tjerë.

Policia bëri të ditur se në aksident u përfshi edhe një makinë me targa të Sllovenisë.

“Viktima të këtij aksidenti janë: 1. A.Gj-1986 ; 2. D.Gj-1992 të cilët kanë ndërruar jetë në vendin e ngjarjes dhe vdekjen e tyre e ka konstatuar ekipi mjekësor, ndërsa lëndime kanë pësuar tre persona, të cilët dy nga këta nga vendi i ngjarjes janë dërguar në Spitalin Rajonal Pejë për trajtim mjekësor,” njoftoi policia me anë të një komunikate.

Aksidenti është shkaktuar nga tejkalimi i pasigurt i njërit nga automjetet e përfshira në aksident.

10:08

Sot në Dollc të Klinës ka ndodhur një aksident që sipas policisë ka përfunduar me fatalitet.

Zëdhënësi i Policisë Rajonale të Pejës Xhevat Ibraj e konfirmoi aksidentin për KALLXO.com pa dhënë shumë detaje.

Mund të konfirmoj se ka ndodhur një aksident me fatalitet, për detaje tjera shumë shpejt do informoheni me shkrim,” tha Xhevat Ibraj.

Në aksident janë përfshirë disa makina, ndërsa dyshohet për dy të vdekur.

Megjithatë, i kontaktuar nga KALLXO.com, drejtori i Spitalit Rajonal të Pejës, Skender Dreshaj, tha për KALLXO.com se nuk kanë pranuar persona të vdekur.

“ Dy persona i kemi pranuar që kanë pësuar lëndime, njëri ka këmbën e thyer, tjetri disa lëndime. Që të dy po trajtohen në Spitalin e Pejës. Persona të vdekur nuk kemi pranuar, mund te kenë humbur jetën në vend të ngjarjes,” tha Dreshaj.

Nga fundi i vitit të kaluar në Magjistralen Pejë-Prishtinë te fshati Dollc i Klinës, ishte aksidentuar një veturë e Prokurorisë së Shtetit, ndërsa në atë aksident ishte lënduar rëndë prokurori Lulzim Sylejmani dhe shoferi i makinës.

http://kallxo.com/prokurori-lendohet-rende-ne-aksident/

Prokurori Sylejmani më pas ishte dërguar për trajtim jashtë vendit, ndërsa është kthyer në Kosovë para një jave, por sipas deklaratave të tij për KALLXO.com, ende i duhet kohë për ta marrë veten.

http://kallxo.com/kthehet-ne-kosove-prokurori-aksidentuar-vitin-e-kaluar/

Në Dollc të Klinës në qershor të 2015-ës kishte ndodhur një aksident në të cilin vdiqën 3 persona.

http://kallxo.com/paraburgim-te-dyshuarit-per-aksidentin-qe-la-tre-te-vdekur/