Dy të Arrestuar për Vrasjen Dy Zyrtarëve të UNMIK-ut më 2004

Sipas Prokurorisë, sot është zhvilluar një operacion kërkimi dhe arrestimi si pjesë e hetimeve penale në vazhdim nga Prokuroria Speciale, ku janë ekzekutuar urdhra të dhënë nga një gjyqtar i procedurës paraprake nga Gjykata Themelore e Prishtinës. Operacioni është kryer nga Policia e EULEX-it dhe Policia e Kosovës.

“Dy persona janë arrestuar me urdhër të gjykatësit, ndërsa dy persona të tjerë janë arrestuar nga Policia e Kosovës për posedim të paligjshëm të armëve. Një person tjetër pritet të ekstradohet nga një shtet i jashtëm dhe të arrestohet gjatë ditës në lidhje me të njëjtin rast”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.

Rreth 35 zyrtarë policorë ndërkombëtarë dhe 100 zyrtarë policorë nga Kosova bënë kërkime në lokacione të ndryshme në lidhje me shtatë të dyshuar pjesë e hetimeve penale në vazhdim e sipër.

Këto hetime, sipas Prokurorisë, kanë të bëjnë me vrasjen e rëndë të dy zyrtarëve të UNMIK-ut dhe me tentimvrasjen e rëndë të dy zyrtarëve të tjerë të UNMIK-ut në vitin 2004.

Rasti është duke u hetuar dhe bashkërenduar nga një prokuror ndërkombëtar i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. Urdhrat për arrestimet dhe kërkimet janë dhënë nga një gjyqtar i Kosovës për procedurë paraprake.