Ilustrim. Foto: KALLXO.com

Dy të Arrestuar për Propagandë për Grupet Terroriste

Policia e Kosovës bëri të ditur se ka arrestuar dy persona të dyshuar se po bënin propagandë në mbështetje të grupeve terroriste.

Në një komunikatë të lëshuar sot, Policia thotë se Drejtoria Kundër Terrorizmit në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Kosovës, kanë ndërmarrë një operacion në Mitrovicë dhe në Lipjan për zbatimin e urdhërkontrolleve të lëshuara nga Gjykata Themelore në Prishtinë dhe ajo në Mitrovicë.

Gjatë këtij operacioni në cilësinë e të dyshuarve janë shoqëruar në stacionin e Policisë dy persona K. P. dhe B. Q. ndaj të cilëve, me urdhër të Prokurorit, është shqiptuar masa e ndalimit policor prej 48 orëve.

“Personat e arrestuar nga zyrtarët policorë, dyshohet se kanë shpërndarë propagandë në mbështetje të grupeve terroriste, veprime këto të sanksionuara sipas ligjit 05/L-02 për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të vendit”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Sipas Policisë, gjatë këtij operacioni në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar disa pajisje elektronike dhe gjësende tjera, të cilat “janë përdorur për kryerjen e veprës penale dhe të cilat do të analizohen në vijim”.