Lideri i LSDM, Zoran Zaev, dhe deputeti i ri shqiptar i kësaj partie, Muhamed Zekiri. Foto: Facebook

Dy Shqiptarë në Maqedoni Heqin Qafe Barrierën e Partive Etnike

Për herë të parë në 25 vet, dy deputetë shqiptarë do të ulen në karriget e Parlamentit të Maqedonisë jo si përfaqësues të partive etnike shqiptare por si debutues të një partie kryesore maqedone.

Gazetari nga Shkupi, Muhamed Zekiri dhe Gjylymsere Kasapi, një profesoreshë dhe aktiviste për të drejtat e grave do të ulen në Kuvend në emër të partisë kryesore opozitare, LSDM, të udhëhequr nga Zoran Zaev.

Zekiri dhe Kasapi thanë se kanë vendosur të thyejnë rrugën e zakonshme të të kërkuarit të përfaqësimit të shqiptarëve të Maqedonisë që normalisht do të thotë të kandidosh me partitë shqiptare sepse ata donin të mbështetnin LDSM-në në betejën e tyre për ta larguar partinë udhëheqëse në Maqedoni, VMRO- DPMNE.

Ata gjithashtu thanë se duan që votuesit shqiptarë të kalojnë nga diskutimet e vjetra për nacionalizëm në ato për çështje sociale dhe ekonomike.

Ekspertët vlerësojnë se një numër i madh i shqiptarëve në Maqedoni kanë votuar për Zaevin dhe LDSM për arsyen e njëjtë.

Ata donin të shihnin një ndryshim në qeveri dhe kanë paralajmëruar Zaevin që të fokusohet në standarde më të mëdha të jetesës për të gjithë.

Që kur Maqedonia u bë shtet i pavarur në vitin 1991, më shumë se gjysmë milioni shqiptarë atje kanë qenë të përfaqësuar nga partitë shqiptare, më të fortat prej të cilave më vonë hynin në koalicion qeveritar me partinë udhëheqëse.

Por siç BIRN ka raportuar, partitë shqiptare kanë fituar më pak vota në këto zgjedhje se zakonisht, vetëm 210, 847 në krahasim me 237,000 sa i kishin fituar në zgjedhjet e përgjithshme më 2014.

Megjithëse dalja e votuesve në zgjedhje ishte më e madhe për 5 përqind, partitë shqiptare humbën më shumë se 27,000 vota.

Është gjerësisht e besueshme se shumë nga votat e humbura shkuan te LDSM, që shënoi fitore domethënëse në disa zona shqiptare për herë të parë që nga pavarësia.

Një mospëlqim i përbashkët për VMRO DMNE

Zekiri u regjistrua si anëtar i LDSM-së këtë shtator dhe pak kohë pas kësaj ishte kandidati i tretë i kësaj partie në distriktin e dytë elektoral të Maqedonisë, që e përfshin kryeqytetin, Shkupin.

Ai tha për BIRN se dëshiron t’i tregojë shqiptarëve të Maqedonisë se ka rrugë të tjera për gjërat e duhura për këtë komunitet.

“Mbështetja shqiptare për LDSM-në në këto zgjedhje ishte një arritje historike, që tregon se ata janë bërë më të matur politikisht”, tha ai.

“Ata i kanë treguar maqedonëve se e duan shtetin e tyre më shumë se ata, duke kuptuar se Nikola Gruevski (udhëheqësi i  VMRO DPMNE) është gjëja më e keqe që i ka ndodhur shqiptarëve dhe maqedonëve së bashku”, shtoi ai.

Në nëntor, shumë njerëz u çuditën kur Gjylymsere Kasapi u listua në mesin e kandidatëve të dytë në distriktin e gjashtë elektoral, që dërgon më së shumti deputetë shqiptarë në parlament.

Ajo tha për BIRN se ka vendosur të garojë si kandidate për LDSM sepse ndjehej si pjesë e një lëvizjeje më të gjerë civile dhe intelektuale.

“U zgjodha deputete duke u bazuar në angazhimin tim konstant në sferën publike duke udhëhequr shumë iniciativa që kanë pasur në qendër fuqizimin e gruas”, tha ajo.

Ironikisht, Kasapi ishte themeluese e partisë së parë etnike shqiptare në vitin 1992. Tash pasi kanë kaluar më shumë se dy dekada, ajo është kthyer të për t’i përfaqësuar interesat e shqiptarëve në një parti maqedone.

Zekiri dhe Kasapi janë shumë të vetëdijshëm se shumë shqiptarë i konsiderojnë veprimet e tyre shokuese dhe pothuajse të pafalshme.

Ata nuk brengosen. Çfarë shumë shqiptarë në Maqedoni e konsiderojnë tradhti, ata e konsiderojnë dëshmi të një shpirti të ri dhe progresiv.

“Unë nuk e kuptoj se kë e kam tradhtuar. Ata që me të vërtetë e kanë tradhtuar interesin shqiptar në Maqedoni janë partitë që e kanë ndarë pushtetin me VMRO-DPMNE-në”, theksoi Zekiri.

Ai beson se shqiptarët që e kanë mbështetur LDSM-në kanë treguar një besnikëri ndaj shtetit, duke e ndihmuar këtë parti ta ndalojë shumicën e pastër të Gruevskit në Parlament.

Xhenis Sulimani, një analist politik, pranon se shumë shqiptarë nuk e mirëpresin faktin se disa vota të komunitetit shqiptar i shkuan një partie maqedone por thotë se partitë e ‘vjetra’ duhet të marrin mësim prej asaj çfarë ka ndodhur.

“Partitë shqiptare duhet të reflektojnë në atë se çfarë ka ndodhur. Duhet të marrin shënim që Zaev ua ka marrë votat, jo për shkak të nacionalizmit por për shkak se ka premtuar mirëqenie  sociale dhe ekonomike”, tha ai.

Deziluzionimi me retorikën nacionaliste

Shqiptarët në Maqedoni kanë protestuar me dekada të tëra sepse nuk kanë qenë të barabartë me maqedonët. Xhenis Sulejmani tha për BIRN se suksesi i LDSM-së erdhi pjesërisht për shkak se i trajtoi shqiptarët si qytetarë të barabartë.

“LDSM iu afrua çdo qytetari pa dallime në etnicitet apo religjion duke premtuar që do t’i trajtojë të gjithë në mënyrë të barabartë dhe të kujdeset për çështje të rëndësishme sociale si rrogat”, tha ai.

Sulimani tha se shumë njerëz janë të deziluzionuar me retorikën nacionaliste të partive të vjetra shqiptare, që nuk kanë asgjë për të thënë mbi gjendjen ekonomike dhe sociale.

“Në votat e tyre, duket se shqiptarët thanë: mjaft me nacionalizëm, ne duam të jetojmë me dinjitet”, deklaroi ai.

Zekiri theksoi se 67 përqind e shqiptarëve votuan për alternativat opozitare, duke sinjalizuar ndëshkimin ndaj VMRO DPMNE-së dhe shefit të saj Nikola Gruevski dhe partnerët e tij shqiptar në koalicion, Ali Ahmeti, udhëheqës i Bashkimit Demokratik për Integrim, BDI.

“I kanë ndëshkuar partitë në pushtet për krimet që i kanë bërë në 10 vitet e kaluara’, tha ai.

Gjylymsere Kasapi tha për BIRN se beson që një program social demokrat i stilit të Europës Perëndimore, siç është LDSM-ja, mund t’i zgjidhë krizat politike dhe sociale afatgjate të Maqedonisë.

“Shteti është i zhytur në depresion dhe eksodet e të rinjve janë alarmuese. Koha ka ardhur për një veprim të madh, në vend se deklarata të mëdha”, tha ajo.

Kasapi nënvizoi se do ta përdorë mandatin e saj si deputete në shërbim të gjithë qytetarëve në nevojë, pa dallim në baza etnike.