Dy Refugjate Vdesin Nga i Ftohti në Bullgari

Policia në Bullgari nisi hetimet pasi dy refugjate u gjetën të vdekura nga i ftohti pranë qytezës juglindore të Malko Tarnovo gjatë fundjavës, bëri të ditur policia kufitare për BIRN.

Të dy refugjatet që humbën jetën, një grua rreth tridhjetë vjeç dhe një vajzë rreth 14 vjeç, qenë pjesë e një grupi më të madh prej 19 vetësh, përfshirë 11 fëmijë, të cilët u shpëtuan nga patrullat kufitare bullgare të shtunën në mbrëmje në vargmalin Strandzha, ku dëbora ka arritur në 50 centimetra.

Ata qenë të lagur dhe të ftohtë pasi kishin hyrë në Bullgari përmes Turqisë, duke kaluar lumin Deliiska.

“Migrantët e shpëtuar e identifikojnë veten si nënshtetas të Irakut por ata nuk kanë dokumente kështu që kombësia e tyre do të hetohet më tutje pasi të nxirren nga spitali,” tha Lora Lubenova, një zëdhënëse për policinë kufitare të Bullgarisë.

Pesëmbëdhjetë të mbijetuarit, 11 fëmijë dhe katër të rritur, u shtruan në qytetin juglindor të Bugrasit.

Dy të rritur, një burrë rreth 35 vjeç dhe një grua rreth të 40-ave, qenë në koma kur mbërritën në spital por tashmë gjendja e tyre është stabilizuar, njoftoi spitali të dielën.

Sipas drejtorit të policisë kufitare Antony Angelov, migrantët i përkasin katër familjeve. Gruaja që vdiq qe nënë e tri fëmijëve ndërsa adoleshentja qe pjesë e një nga familjet e tjera, tha Angelov për Televizionin Kombëtar të Bullgarisë të hënën.

Që nga viti 2014, Bullgaria ka punuar për ndërtimin e një gardhi me tel me gjemba 132 kilometra të gjatë përgjatë kufirit të saj me Turqinë për të parandaluar refugjatët dhe migrantët që të hyjnë në këtë vend.

Por njerëzit që po arratisten nga luftërat dhe varfëria në Lindjen e Mesme vijojnë të kalojnë në Bullgari gjatë udhëtimit të tyre drejt Europës Perëndimore, shpesh duke ndjekur rrugë shumë të rrezikshmë për të mos u vënë re.

Numri i kërkesave për azil në Bullgari këtë vit ka mbërritur në 1,862 vetë më 27 janar, kur Agjencia Shtetërore për Refugjatët publikoi statistikat e fundit.

“Ne regjistrojmë përpjekje për kalim ilegal përgjatë të gjithë kufirit me Turqinë dhe më shpesh në zonat ku nuk është ngritur ende gardhi,” shpjegoi Lubenova.

Vdekjet e dy refugjateve nuk qenë të parat tragjedi të tilla në Bullgari.

Në nëntor 2014, trupat e katër burrave u gjetën pranë fshatit të Kireevos në jug-perëndim të Bullgarisë pranë kufirit me Serbinë.

Në janar 2016, rojet kufitare gjetën dy trupa të tjerë emigrantësh të rinj pranë Kalotinës në kufirin mes Bullgarisë dhe Serbisë.

Agjencia e lajmeve turke Anadolu njoftoi më 6 shkurt se një grup prej 31 sirianësh, përfshirë 13 fëmijë, qenë shpëtuar nga fshatarët dhe forcat e sigurisë në një fshat pranë Edirnes në Turqinë veriore.

Refugjatët thanë se ata ia kishin dalë të hynin në Bullgari por policia bullgare i kishte detyruar të ktheheshin pas në Turqi më këmbë.