Dy Persona Akuzohen për Mashtrim të Fatmir Dalladakut

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur sot aktakuzë kundër dy personave me inicialet Rr.H. dhe K.R. për shkak të dyshimit se së bashku kanë kryer veprën penale mashtrim, njofton Prokuroria e Shtetit.

Sipas aktakuzës, të pandehurit me inicialet Rr.H dhe K.R. në periudhën kohore 30 dhjetor 2011 deri më 24 korrik 2012, së bashku me të pandehurin E.L. i cili gjendet në arrati, e kanë vënë në lajthim të dëmtuarin F.D.

Vënien në lajthitje, sipas prokurorisë, të akuzuarit e kanë bërë me anë të paraqitjes së rreme të fakteve dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete ose për tjetrin, si dhe, për t’i shkaktuar dëme materiale personit tjetër.

Prokuroria më tutje tregon të akuzuarit përmes K.R. janë paraqitur rrejshëm para të dëmtuarit. Rr.H. e E. L janë prezantuar si të afërm të personaliteteve të larta shtetërore politike.

“Të tre së bashku, kinse me qëllim të ndërmjetësimit për blerjen e Qendrës Kardiake të Kosovës Sh.P.K në Prishtinë, mes personit të quajtur E.Ll. si shitës dhe F.D. si blerës, e nxisin të njëjtin të veprojë në dëm të pasurisë së tij, duke i prezantuar draft-kontrata sipas të cilave arrijnë ta bindin se i pandehuri Rr.H. është pronar i Qendrës Kardiake të Kosovës me 20% të aksioneve, ndërsa E.Ll me 80%”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Në njoftimin e prokurorisë konstatohet se të pandehurit arrijnë të marrin nga i dëmtuari shumën e përgjithshme të të hollave prej 290,810.00 euro (dyqind e nëntëdhjetë mijë e tetëqind e dhjetë euro), për të cilën shumë edhe i shkaktojnë dëme materiale.