Dy Nëntogerë të FSK-së Diplomojnë në Akademinë Ushtarake Britanike

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama në kuadër të vizitës zyrtare në Mbretërinë e Bashkuar sot mori pjesë në ceremoninë e diplomimit të kadetëve oficer në Akademinë Mbretërore ushtarake ,,Sundhurst’’, ku diplomojnë nëntogerët Xhevahir Hasanaj dhe Arlind Bajrami nga Forca e Sigurisë së Kosovës.

Kryeministrja e Mbretërisë së Bashkuar, Theresa May, e cila ishte e pranishme në ceremoni, i inspektoi kadetët në emër të lartmadhërisë Mbretëreshës Elizabet II si dhe ndau medalje për nëntogein Xhavhir Hasanaj dhe  certifikatat e diplomimit të kadetëve që mbaruan studimet atje.

Me rastin e dhënies së medaljes së oficerit të FSK-së, nëntoger Xhevahir Hasanaj, kadeti me rezultatet më të larta nga oficer- kadetët ndërkombëtarë,  komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama tha se rezultati i shkëlqyer i oficerit të FSK-së ka rëndësi të veçantë për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Kosovën. Në vazhdim Komandanti i FSK-së tha:

“Jam i privilegjuar që sot gjendem këtu në cilësinë e komandantit për të nderuar këtë ngjarje madhështore e organizuar nga kjo akademi me nam në të cilën oficerët tanë vazhdojnë të na bëjnë krenar me rezultatet e tyre kudo që ata trajnohen në shkollat dhe akademitë ndërkombëtare”, tha gjeneral Rama.

Nëntogerët e FSK-së Xhevahir Hasanaj dhe Arlind Bajrami. Foto: MFSK

Në Sundhurst pos komandantit të FSK-së, gjeneral Rama ishte i pranishëm edhe Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi, ambasadori i Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar, Lirim Graiçevci, kolonel Xhevahir Geci, ushtrues detyre i komandantit të Brigadës për Reagim të Shpejtë(BRSH), nënkolonel Ali Krasniqi, shef i Departamentit për bashkëpunim e Siguri në kuadër të Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, si dhe nënkolonel Gregor Lindsay.

Pas 12 muajsh shkollim në Akademinë Mbretërore Ushtarake Sandhurst, në Britaninë e Madhe, oficeri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Xhevahir Hasanaj fitoi medaljen për kadetin  ndërkombëtar më të mirë i cili ka arritur rezultate më të mira në studimet ushtarake, akademike, dhe praktike.

Kjo është hera e dytë që një oficer kadet nga Kosova fiton çmim si kadeti më i mirë ndërkombëtarë, duke pas parasysh që në vitin 2015, nëntoger Ismail Hoxha pati fituar shpatën e argjendtë, thuhet në komunikatën e Ministrisë së FSK-së.