Dy Muaj Pa Disa nga Barnat për të Sëmurët me Kancer

Në klinikat e onkologjisë dhe ortopedisë në Prishtinë janë duke munguar disa nga barnat.

Naxhije Juka-Skenderi, kryetare e Shoqatës “Duka Vita”, shoqatë që lufton kancerin e gjirit në Rrafshin e Dukagjinit është ankuar në KALLXO.com për këto mungesa.

“Shqetësimi jonë që kemi raportuar në KALLXO.com është që në Repartin e Onkologjisë mungojnë ampulat Zoladex 10.8 miligramë me tepër se dy muaj dhe tableta Anastrazol hormonale. Në repartin e ortopedisë me tepër së një vit mungon materiali për kepcat ortopedike”, tha Juka-Skenderi për KALLXO.com

Ajo tregoi se për këto mungesa e ka njoftuar ministrin në detyrë të Shëndetësisë Imet Rrahmanin, por nuk ka marrë përgjigje prej tij.

Zyra për Informim e Ministrisë së Shëndetësisë në përgjigjen për KALLXO.com e pranon se ka mungesë të këtyre medikamenteve, por thotë se vonesat janë shkaktuar për shkak të transportit.

“Sa i përket produkteve Zoladex dhe Anastrazol, ato është dashur që këtë javë të sillen nga operatori ekonomik i kontraktuar, i cili ka njoftuar se për shkak të vonesave në transportin nga jashtë, nuk ka mundur t’i sjell këtë javë, ndërkohë që është zotuar se do t’i sjellë në javën tjetër”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim.

Naxhije Juka- Skenderi thotë se barnat që mungojnë po i blejnë pacientët ose familjarët me paratë e tyre, ndërsa tregon se barnat e tilla janë shumë të shtrenjta.

Produktet Zoladex dhe Anastrazol janë në listën esenciale të barnave, pra barna të cilat nuk paguhen nga pacientët.

Zyra për Informim e Ministrisë së Shëndetësisë në përgjigjet e saj sqaron edhe mungesat në Repartin e Ortopedisë, duke thënë se këtë repart e furnizon vetëm me barnat e listës esenciale.

“Departamenti për Shërbime Farmaceutike në Fondin e Sigurimit Shëndetësor siguron artikujt e Listës Esenciale dhe  për pjesën e Ortopedisë dhe të Ortoprotetikës ka të kontraktuar materialin shpenzues, i cili material në fillim të vitit është dorëzuar në QKUK.  Materiali, i cili nuk është pjesë e Listës Esenciale zyrtare, nuk mund të sigurohet nga Departamenti për Shërbime Farmaceutike”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim të Ministrisë së Shëndetësisë.

KALLXO.com edhe më herët kishte raportuar për mungesë të citostatikëve-barnave që lehtësojnë sëmundjen e kancerit.

http://kallxo.com/kosova-pa-citostatike-ne-diten-boterore-kunder-kancerit/