Foto-ilustrim

Dy Ministra Përurojnë Segmentin e Rrugës për Pejë

Segmnenti i Autostradës Prishtinë- Pejë që shkon deri në Kijevë të Malishevës është përuruar sot nga ministrat e infrastrulturës dhe ambientit Pal Lekaj e Albena Reshitaj.

Në këtë ceremoni fjalën e tij ministri Pal Lekaj e nisi me ngushëllimin për familjen e punëtorit që vdiq sot në punishten e Autostradës “Arbën Xhaferi”.

Pastaj Lekaj tha se ministria do të kërkojë vazhdimisht kryerje të punëve sipas fatit të përcaktuar me kontrata.

“Do të jemi të saktë atë që e themi publikisht edhe do ta realizojmë”, tha Lekaj.

Duke falënderuar kompaninë që kreu punimet, Lekaj deklaroi se “atëherë kur ekziston vullneti s’ka projekt që nuk kryhet në ditë të caktume në bazë të kontratës”.

Në ceremoni foli edhe ministrja e Ambientit Albena Reshitaj, pasi ministria e drejtuar prej saj kishte bërë shpronësimet për këtë pjesë të autostradës.

“Ne duhet të ecim me hapa të shpejtë, ne bashkojmë fshtra, bashkojmë regjione e komuna. Do ta ndërtojmë komplet Kosovën dhe qytetarët të lëvizin sigurt dhe lirshëm”, tha Reshitaj.

Gjatë përurimit foli edhe Ragip Begaj që po kandidon edhe për një mandat në krye të Komunës së Malishevës.

Begaj tha se ky segment “është autostrada e dytë që po e përshkon Malishevën”.

Punimet në këtë rrugë janë zvarritur për shumë vjet, ndërsa kur Ramush Haradinaj vizitoi Ministrinë e Infrastrukturës më 13 shtator, kërkoi nga ministri dhe bashkëpartiaku Pla Lekaj që punët infrastrukturore të mos zhagiten më.

Haradinaj atë ditë e pranoi që në Rrugën Prishtinë- Pejë janë shkaktuar vonesa.

“Obligimi i ndërmarrë i Kosovës me BERZH-in, por edhe ndërtimi i kësaj rruge duhet të bëhet në kohën e duhur. Janë në një ritëm të ngadalshëm dhe jo aq serioz që kanë ndodhur deri më sot”, tha atëherë Haradinaj.

KALLXO.com kishte shkruar edhe për ankesat e banorëve të disa fshatrave për qasje më të lehtë në segmente tjerë të kësaj autostrade.