Dy Kandidatë Republikanë Braktisin Garën për President

Një ditë pas votimeve në New Hampshire, dy kandidatë janë tërhequr të mërkurën nga gara e Partisë Republikane, e cila do ta nxjerrë emrin që do ta përfaqësojë partinë në garën për Shtëpinë e Bardhë: Carly Fiorina, ish-drejtoreshë e Hewlett Packard dhe Chris Christie, guvernator i New Jersey.

“Edhe pse po e pezulloj kandidaturën time sot, unë do të vazhdoj të udhëtoj në vend për të luftuar në emër të atyre amerikanëve që refuzojnë të pranojnë një statu quo që nuk funksionon më për ta”, ka deklaruar Carly Fiorina përmes një komunikate, njofton Associated Press.

Kandidatja e vetme femër në garën e republikanëve ka marrë vetëm 4,1% të votave dhe 1,9% javën e kaluar në Iowa.

Carly Fiorina kishte ngjallur entuziazëm në shtator pas një serie të mirë të debateve televizive, të cilat ia kanë rritur famën në shkallë vendi. Megjithatë, asnjëherë nuk ia doli të imponohet si figurë e fuqishme.

Kundërshtare e madhe e abortit, ajo sulmonte fuqishëm sidomos demokraten Hillary Clinton.

Ndërsa, siç raporton AFP, edhe guvernatori republikan i New Jerseyt, Chris Christie, ka njoftuar se e braktisë garën për Shtëpinë e Bardhë, pas rezultatit të dobët në New Hampshire.

Christie, i cili kishte investuar masivisht në shtetin e vogël verilindor, ka dalë i gjashti në garën e republikanëve me 7,4% të votave. Në Iowa, shteti i parë që ka votuar më 1 shkurt, ai ka dalë i dhjeti, me 1,8% të votave.

Zgjedhjet në New Hampshire i ka fituar Bernie Sanders nga radhët e demokratëve dhe magnati Donald Trump nga radhët e “Grand Old Party”.