Duhen Alternativa Para Ndalesës së Përdorimit të Një Lënde Djegëse

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka organizuar një tryezë me temën “Cilësia e ajrit në Kosovë, sfidat dhe veprimet”, në kuadër të zbatimit të Planit të masave për përmirësimin e cilësisë së ajrit në Kosovë.

Gjatë këtij diskutimi Albena Reshitaj, ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka thënë se para se qytetarëve t’i ndërpritet përdorimi i një lënde djegëse duhet t’i jepen alternativa.

“Ne kemi filluar kampanjë ndërgjegjësimi. Qytetarit duhet t’i jepet alternativa pastaj t’i ndërpritet përdorimi i një lënde djegëse” ka shtuar Reshitaj.

Ajo ka vazhduar më tutje duke thënë se do t’i japin alternativë qytetarëve përdorimin e druve të konfiskuar nga Agjensioni i Pyjeve të Kosovës që ata mos ta përdorin thëngjillin.

Kurse kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj para ministrave, zëvendësministrave, përfaqësuesve të shoqërisë civile tha se në Kosovë ka mungesë të një strategjie të mirëfilltë.

“Monitorimi i cilësisë së ajrit është veprim që na kujton se ku po jetojmë. Neve na mbetet me bo ma shumë në vendet që janë më të rrezikuara. Gjelbërimi, ruajtja e zonave pyjore ndikon, duhet të bëhet edukimi i qytetarëve për ruajtjen e lëndëve bazë” theksoi Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj shpjegoi se është e largët koha kur ne do të kemi mundësi të kemi si lëndë djegëse gazin, derisa tubat e gazit të vijnë në Shqipëri e pastaj ne të kemi mundësi të lidhemi me ta.

Ministri i zhvillimit ekonomik në këtë legjislaturë, Valdrin Lluka, duke folur për ndotjen e ambientit në Kosovë tha se Kosova A dhe B janë ndotësit më të mëdhenj në Kosovë.

“Për fat të keq Kosova 97 për qind të energjisë Kosova e siguron nga linjiti” shtoi Lluka.

Ai tregoi se procedurat e fizibilitetit për rehabilitimin në tërësi të termocentralit Kosova B kanë filluar.

“Kemi marrë 35 milion euro donacion nga BE për ndërrimin e filterave” theksoi Lluka.

Kurse për termocentralin Kosova A tha është amortizuar në tërësi.

Te plani i aktiviteteve për përmirësimin e cilësisë së ajrit vjeshtë dimër 2017 – 2018 janë paraqitur veprimet e ndërmarra deri më tani për përmirësimin e gjendjes aktuale.