Dubrava Vendos me ‘Referendum’ për Xhaminë

Fshati Dubravë i Suharekës ka organizuar sot një votim, të cilin banorët dhe Komuna po e quajnë “referendum”, në lidhje me ndërtimin e një xhamie.

Banorët që kanë marrë pjesë në votim është dashur të përgjigjen me PO ose JO në pyetjen: “A jeni për ndërtimin e xhamisë në parcelën 399-2?”.
Ideja për “referendumin” ka ardhur pasi që nuk ka pasur qëndrim unik të banorëve rreth vendit të ndërtimit të xhamisë.

Në fakt, disa banorë po e kundërshtojnë kërkesën për ndërtimin e xhamisë te varrezat në qendër të fshatit, me arsyetimin se nuk ka vend të mjaftueshëm për varre.

Gazetari i KALLXO.com ka vërejtur një interesim të madh të qytetarëve për të votuar. Deri në ora 13:00 kanë votuar mbi 200 banorë.

Donator i kësaj xhamie është një biznesmen nga ky fshat që jeton e punon në Londër.

Babai i tij, Liman Krasniqi ka folur pas votimit: “Me dëshirën e tij ka ardhur deri këtu. Po don me nisë xhaminë. Ka thënë se unë e nisi edhe krye. Por, nëse donë me i ndihmu dikush, derën e ka çelë. Kush t’i jep 5 euro, 10 euro, unë paret i shti në bankë. Por, nëse nuk jep kërkush e kam nisë dhe e kryej vet”, tha ai.

Krasniqi thotë se ndërtimi i xhamisë në qendër të fshatit do t’u ndihmonte atyre besimtarëve që nuk mund të shkojnë në xhaminë e fshatit fqinj.

“Na në fushë nuk mundem me ndërtua xhaminë. Për në fushë e kam pasur në Sopi. Qe 50 vite unë i fali xhumatë, teravitë e krejt në Sopi. Unë sot i grahi kerrit, por dikush nuk ka kerr, nuk mundet me shku në këmbë atje”, tha ai.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Suharekës, Sali Asllanaj, e ka përshëndetur këtë referendum, duke theksuar se ai duhet të merret shembull dhe të praktikohet shpesh në Kosovë.

“Mendoj që është një pjesë vërtet edhe e krenarisë, që kemi marr parasysh vullnetin e qytetarëve, në këtë aspekt po organizojmë diçka të re në komunën ton, në një vendbanim, ndoshta edhe sie eksperiment si provë e par, se si funksionojnë gjërat”, ka th[n[ Asllanaj.

Referendumi është i paraparë edhe në Statutin e Komunës së Suharekës.

Lidhur me organizimin e referendumit, Komuna e Suharekës ka kontaktuar dhe ka njoftuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, të cilit i ka kërkuar mbështetje profesionale dhe teknike, por zyrtarët e KQZ-së nuk ishin prezentë.

Ka disa ditë që KALLXO.com ka dërguar pyetje në KQZ rreth këtij referendumi por përgjigje nuk ka marrë.